Këto javë në “Këngën Magjike” kemi parë plot materiale të bukura, ritmike, balada dashurie, këngë shprese që na kanë ngrohur zemrat. Por për më të mirën duket që duhet të presësh gjithmonë pasi surpriza ishte rezervuar për në fund.
Një këngë si asnjë tjetër, një bashkëpunim që na zuri në një befasi të ëmbël nga dy artistë që arti iu rrjedh në vend të gjakut në vena. Arilena Ara dhe Pirro Çako, një dyshe e magjishme që veçmas numërojnë suksese të panumërta, por bashkë pritet të na mbështjellin në vorbulla fantazish me zërat e tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, Arilena ka zbuluar se kënga titullohet “Zero Gradë”, edhe pse është lehtësisht e kuptueshme që zëra të tillë bashkë të përçojnë emocione të pamatshme.
Ky do të jetë një rikthim për të dy në skenën e “Këngës Magjike”. Arilena ishte pjesëmarrëse me hitin “Nëntori” në vitin 2016. Për herë të fundit Pirron e pamë me “Dalldisa” në vitin 2012, ndërsa u rikthye si anëtar i jurisë në vitin 2022.
24 nëntori është fare pranë e megjithatë na duket sikur do të na duhet të presim gjatë!