Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato zhvilloi sot takim me kryetarin e ri të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Ilir Rusi.

Gonzato u shpreh në rrjetet sociale se e përgëzoi Rusin për rolin e ri si kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Takimi, sipas tij, erdhi në një moment domethënës, pas publikimit të gjetjeve kryesore në Raportin 2024 të Komisionit Evropian.

“Pata mundësinë të diskutoj me të mbi gjetjet e raportit, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Kapitullin 23, “Funksionimi i Gjyqësorit”.

Ramë dakord që Këshilli të vazhdojë përpjekjet e tij për të bazuar procedurat e tij në standardet më të mira të BE-së duke përdorur ekspertizën e projektit tonë EU4Justice.

Ky është çelësi për të ruajtur frymën e Reformës në Drejtësi të vitit 2016 dhe, më e rëndësishmja, për t’i dhënë popullit shqiptar drejtësinë që meriton”, u shpreh ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.