Nga Kimete Berisha

– Kanali është edhe i Osmanit, se ajo e ka ndërprerë vizitën e saj në Brunei për të dëgjuar (nga lagja e milionerëve) lajme për Kanalin.

– Gjenerata e Re (që i quajnë Gjenerata Z), nuk janë as me Kurtim, as me Osmanin, as me askënd….

– Gjeji ku janë, në mundsh!

As që ju njohin!

– Ne (Gjenerata e gazepit), që e kemi përjetuar luftën, ne kemi parë dhe përjetuar zi e terr, kështu që s’ka Kanal që na lë përshtypje e na frikëson, edhe krejt Kanalet nëse shpërthejnë, ne prap kemi parë më keq….

– Ata që të bëjnë çare, janë dallëndyshe në vende më të nxehta, që vijnë në atdhe verës dhe për festa.

– E ata që të duan janë të zënë me do punë…tjera!

– Është e çuditshme, sa s’thotë goja:

Ata që s’kanë luftuar, u japin nasihat atyre që jo vetëm që kanë luftuar por që i kanë oborret e tyre plot varre!

– Le të jetë!

– Mbrëmë vonë, kryeministri i akuzoi portalet dhe opinionistët që e kanë ‘sulmuar’ Kanalin me lajme të rrejshme!

– Pasi që ‘gazetarët kriminelë’ janë shtet në vete, mbi ‘Ligjin’, kryeministri kurrë nuk propozon hetime për këta gazetarë shqjptarë që punojnë me Serbinë për shkatërrimin e Kosovës, por kryeministri kërkon nga populli që mos t’u besojë gazetarëve, t’i bojkotojë.

– E dini ju kush janë ata, thotë.

– A e dini?

– Nuk i quan me emër, se do ta çojë selamin që ‘të gjithë janë me Serbinë’!

– Le të jenë, por pse Ligji i tij i lejon të jenë!

– Unë e kuptoj luftën hibride të Albin Kurtit kundër portaleve e gazetarëve, sepse të gjjthë kanë qejf të lexojnë dhe dëgjojnë veç fjalë miradije për vetveten, ama mënyra se si ky lufton kundër tyre, është një çorbë që ia sos buzët.

– Për t’i degraduar gazetarët, merr mësim nga Edi Rama.

Pra, sipas yrnekut të Edi Ramës, ky nuk duhet t’i shpall gazetarët shqiptarë proserbë, sepse edhe proserbi mund ta thotë të vërtetën…

Por ti mos qaj, se as s’ka kush të t’i fshijë lotët, edhe s’ke se qysh e fsheh nga proserbët miellin dhe pasulin popullor që e kanë vjedhur ministrat e t’u.

– Se, asnjë krim serb në Veri nuk t’i mbulon vjedhjet e ministrave t’u!

Nuk i lanë Ibri vjedhjet e qeverisë tënde!

– E sheh që nuk i lanë, apo të nevojitet edhe pak kohë….

– Për ta fituar luftën kundër gazetarëve, duhet t’i shpallësh të padijshëm, qysh janë në të vërtetë shumica, sepse të paditurit, kazani siç i quan gazetarët Edi Rama, nuk i merr askush seriozisht!

– Paqa është e rrejshme në Veri, ish-shoku im, sepse armiqësia është e vërtetë.

Është paqe e njëanshme, kjo.

Prandaj, sot, kur e kujtoj se sa shumë kam lodruar verës nëpër Veri, i them vetes prap bëhu ti me mendtë e Sveçlës, që bashkë me ministra të tjerë, orë e çast, lëpinin akullore në ëmbëltore rrëzë urës së Ibrit, me një këmbë në Veri e me tjetrën në Jug.

– Kryeministri Kurti, duke e mbrojtur Kosovën nga lufta me Serbinë, po e nxit një luftë qytetare mes shqiptarëve.

Kushdo që flet keq për ministrat e tij hajna, kryeministri i shpall njerëz të Serbisë.

Se ti s’mund të jesh patriot nëse je kundër hajnave të tij.

– Albin Kurti po e ‘privatizon’ popullin dhe po e shndërron të vërtetën në pronë shtetërore.

Të vërtetën, sipas tij, e thotë vetëm shteti i tij, dhe çdo gjë që s’e thotë kryeministri s’është e vërtetë!

– Ne nuk kemi asnjë vërejtje për patriotizmin e Albin Kurtit, se ne kurrë s’kemi pasur kryeministër që e ‘urren’ Serbinë më me pasion se ky, por ne jemi ankuar që ministrat e tij na kanë vjedhur, po na vjedhin dhe janë bërë milionerë me paratë tona.

Prandaj, s’po di kush është më patriot këtu:

– Ajo që e vjedhi miellin dhe vajin e rezervave shtetërore;

– Ai që ua rmbushi gushat me pare fermerëve fantomë;

– Ajo që flet bukur për ushtrinë e sotme, anipse nuk pranoi që FSK ta nderonte rivarrimin e babait të saj hero;

– Apo kryeministri që thotë se Serbia është ‘e poshtër’!

– Ama, kryesori i bordit të Kanalit të Ibër Lepencit, i përzgjedhuri i kryeministrit Kurti, e filloi karrierën politike në partinë e Mira Markoviçit (Sllobodan Millosheviçit).

Të thuash se njëfarë Mujku është patriot e Ramush Haradinaj s’është, ‘më hidhet ta bërtas emrin tim’!

– Kanali është edhe i yni.

– Kanali është i të gjithëve!

P.S. Mos më shiko vëngër!

As mos u beso fjalëve të mia!

Sepse, as që dua të më besosh!

As që dua të më lexosh!

As që shkruaj për ty!