Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se një tjetër arritje është shtuar në fushën e kardiokirurgjisë te QSR “Shefqet Ndroqi”. Tashmë, ndërhyrjet kirurgjikale në valvulat e zemrës kryhen me teknikën e avancuar miniinvazive.

“Teknikë e avancuar që përfaqëson një hap të madh përpara në kujdesin ndaj pacientëve. Në vend të hapjes së plotë të sternumit, kjo procedurë kryhet përmes një prerjeje të vogël prej vetëm 6-7 cm, duke sjellë përfitime të shumta: Rikuperim më të shpejtë dhe më pak dhimbje; Rezultate estetike të përmirësuara; Cilësi më të lartë të jetës pas ndërhyrjes”, u shpreh ministrja në një postim në rrjetet sociale.

“Në spitalin Shefqet Ndroqi në departamentin e kardiokirurgjisë kemi çelur programin e kirurgjisë miniinvazive për valvulat e zemrës. Gjatë muajit shtator janë realizuar gjashtë operacione në valvulën mitrale, me prerje të vogla 6-7 centimetra duke evituar stenatominë totale. Në zhvillim e këtij programi do të ndihmohen të gjitha grup-moshat e pacientëve, nga të rinjtë deri shumë të moshuarit, ata me risk të lartë apo pacientët obezë, do të kenë mundësi komplikacioni shumë të vogël krahasur me një operacion standard”, thotë mjeku kardiolog Rezart Deveja.