Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare i cili ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës në futbollin italian, Erjon Bogdani ka folur së fundmi për Shqipërinë, Interin e Asllanin, teksa është ndalur dhe te Armando Broja. Në intervistën e dhënë për L’interisa, Bogdani i dërgon ‘sms’ të qartë Interit, duke i thënë se Asllani është gati për fanellën e titullarit. Ndër të tjera, ish-sulmuesi kuqezi shprehet se Broja është lojtar që do përshtatej me Milanin.

Shqipëria u eliminua nga Liga e Kombeve duke zbritur në një kategori më poshtë…

Isha në Tiranë për të parë Kombëtaren kundër Ukrainës. Nuk shkoi ashtu siç ne shpresonim, por rritja e skuadrës është shumë pozitive dhe duhet të vazhdojmë të punojmë në këtë rrugë. Ishte një grup shumë i vështirë.

Çfarë mendon për Asllanin?

Mendoj se është një lojtar i shkëlqyer. Është i ri dhe tani ka momentin për t’u konfirmuar. Sigurisht që vitin e kaluar pati shumë pak minuta, por edhe aq pak sa luajtur ka treguar se është një lojtar i mirë.

Çfarë i këshillon? Në Shqipëri ka nga ata që duan të ndryshojë skuadër…

Për mendimin tim duhet që të qëndrojë edhe këtë sezon tek Interi deri në fundin e sezonit dhe të shohë se sa hapësira mund të ketë. Pastaj për sezonin e ri duhet të vendosë çfarë të bëjë. Vitin tjetër duhet që të luajë sa më shumë të jetë e mundur dhe mbetet për t’u parë vetëm skuadra. Por edhe Interi mund t’i japë më shumë besim. Por për momentin nuk duhet të mendojë aspak për këtë situatë, por thjesht të bëjë sa më mirë në fushë.

Transferta me Veronën mund të jetë shansi i artë për të treguar vlerat?

Sigurisht që po. Unë mendoj se është gati. Edhe sezonin e kaluar ka luajtur shumë mirë në ndeshjet që ka pasur në dispozicion. Atë që duhet të tregonte e ka treguar. Këtë vit, Interi e mbajti sepse ka besim dhe mendon që ta kesh në stol është luks. Kur luan nuk ka diferencë me titullarët.

Në të ardhmen, ndoshta në sezonin e ardhshëm, e sheh të jetë titullar tek Interi?

Po. E shoh. E ka treguar veten sa i aftë është. Sigurisht që nuk është e lehtë sa herë që thirresh në apel nga një skuadër si Interi. Kjo vlen për të gjithë, por ai është gati.

Si e sheh ndeshjen mes ish-skuadrës tuaj dhe Interit?

Për Veronën është një ndeshje shumë e vështirë kundër Interit. Zikaltrit janë një nga skuadrat favorite për të fituar titullin kampion. Por në “Betegodi” me mbështetjen e tifozëve, mendoj se verdheblutë mund t’i hapin punë Interit. E kanë treguar me Napolin dhe Romën.

Çfarë mendon për Ramadanin që në të shkuarën ka qenë i lidhur edhe me një transferim tek Interi?

Ramadani është një lojtar i mirë. Ka shumë sasi në mesfushë dhe kjo kuptohet. Sigurisht që është i fortë në duelet me rivalët. Është i zoti edhe për nisjen e aksioneve. Është mirë te Leçe dhe i rëndësishëm në një skuadër që lufton për të mbijetuar. Ka shumë mundësi për t’u përmirësuar. Ka shumë lojtarë në Itali që janë duke bërë shumë mirë, mes tyre edhe Kristian Shpendi. Ka edhe një vëlla binjak dhe të dy janë shumë të mirë.

Broja është ndjekur nga Milani në verë. E shihni mirë në Itali?

Është një lojtar i kompletuar. Nuk ka pasur shumë vazhdimësi prej dëmtimeve. Edhe ai është i ri, por ka eksperiencën e të luajturit në klube të rëndësishme. Sulmon në thellësi dhe luan mirë me shpinë nga porta. Është një profil interesant për një skuadër si Milani.