12 Komisionerë të Pavarur të Kualifikimit i kërkojnë Këshillit të lartë gjyqësor t’i caktojë si gjyqtarë në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Kërkesa është dorëzuar fill mbas mbylljes së kontrollit të trefishtë të 805 gjyqtarëve dhe prokurorëve që nisi në shkallën e parë në mars 2018 dhe u mbyll së fundmi, pra pak përpara se komisionerëve tu mbaronte mandati që skadon më 31 dhjetor 2024.

Përmes kësaj shkrese që Top Channel e disponon komisionerët e vettingut të cilët do të nisin të zbrazin zyrat për çështje ditësh e që do të thotë se së bashku me përmbi 30 këshilltarë mbeten pa punë, i sjellin në vëmendje qeverisë së gjyqësorit jo vetëm bindje ndaj kushtetutës . Por I kujtojnë punën që kryen përgjatë këtyre viteve.

“Jemi të bindur se kemi përmbushur një mision të madh për vendin, kemi patur privilegjin e një gjyqtari të Lartë dhe detyrimin kundrejt qindra kallëzimesh e procedimesh për tu përgjigjur para ligjit”, shprehen në kërkesën e tyre komisionerët.

Anila Hoxha raprton se jo vetëm kaq por ashtu si edhe në dy kërkesa të mëparshme, ata konsiderojnë mundësinë e ndryshimeve ligjore, duke lënë të hapur mundësinë që KLGJ t’i drejtohet gjykatës kushtetuese për interpretim kushtetues mbi statusin e një gjykate të krijuar me ligj siç KPK konsiderohet.

“Sot jemi besimplotë se pritshmëria jonë është legjitime dhe do të garantohet me veprime të rregullta ligjore nga ana e shtetit, duke siguruar emërimin tonë si gjyqtarë në Apel, si një proces i pavarur nga vullneti i parive politike nëpërmjet votimit të normave të reja ligjore, por bazuar në kritere objektive që garantojë sigurinë juridike dhe shtetin e së drejtës”, argumentohet mes të tjerash.

Në mbarim të mandatit të komisionerëve, nuk do të thotë që procesi i vettingut mbyllet këtu. Rivlerësimi i trefishtë do të vazhdojë në Kolegjin e Posacëm të apelimit, aty ku kanë ankimuar të gjithë të shkarkuarit, ose janë apeluar nga Komisioneri publik disa gjyqtarë dhe prokurorë që u panë pa probleme nga KPK.

Në KPA do të vijojnë si vëzhgues monitoruesit e ONM ndërsa rolin e komisionerit e merr kryeprokurori i SPAK , Altin Dumani./TOP CHANNEL