Janë publikuar udhëzime të reja rreth fletave të votimit që do t’u dërgohen emigrantëve. Ato do të jenë të njëjta me ato që do të përdoren në Shqipëri, por kanë një dallim. Fleta e votimit do t’u shkojë me postë në adresën që kanë deklaruar, por në zarf ata do të kenë edhe një dokument, ku kanë udhëzime rreth plotësimit të fletës. Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që zarfi të jetë në përmasa dhe në ngjyrë të njëjtë për të gjithë zgjedhësit.

Pasi votuesi plotëson fletën, ai duhet ta vendosi atë sërish në zarfin e dërguar nga KQZ. Nuk lejohet asnjë lloj shënimi mbi zarfin e fletës së votimit. Në mënyrë që asnjë të mos ju bëjë presion emigrantëve për të identifikuar mënyrën se si kanë votuar. Pasi të votojë, emigranti duhet ta vendosi fletën brenda një zarfi tjetër, që duhet ta blejë vetë. Votuesi duhet të printojë një bar-kod që i është dërguar në sistemin elektronik online dhe ta ngjisë mbi zarf. Ky proces, mund të shkaktojë debate në Kuvend, pasi jo të gjithë emigrantët mund të kuptojnë të gjithë hapat që duhet të ndjekin.

Fletët që do të mbërrijnë përmes postës në KQZ brenda afatit, do të grupohen nga komisioni në një kuti që do të përkufizohet si kutia e votimit nga jashtë. Më pas, ndarja e tyre do të bëhet sipas qarqeve, nga ku janë regjistruar emigrantëve dhe rezultati i tyre do të bashkohet me atë të votuesve në Shqipëri.