Kryerja e votimit elektronik në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e ardhshme, e ka vendosur KQZ-në mes dy zjarreve.

Nga njëra anë PS thotë se votimi elektronik në Tiranë është i domosdoshëm, sepse për nga numri i lartë i mandateve dhe listat e hapura me shumë emra kandidatësh, fleta e votimit do të jetë e komplikuar nëse mbetemi tek votimi tradicional me letër të printuar. PD nga ana tjetër bën thirrje që KQZ ta ndalë procesin, pasi kjo formë nuk gëzon besimin e opozitës.

I testuar në dy zgjedhje rresht dhe pasi ka kushtuar miliona euro, votimi dhe numërimi elektronik po prodhojnë një konflikt të ri për zgjedhjet e pranverës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vihet në vështirësi, kur dy partitë më të mëdha e tërheqin në drejtime të kundërta.

Opozita nuk do që të kemi votim dhe numërim elektronik, pasi më herët ka ngritur shqetësime për përdorimin e kësaj teknologjie dhe saktësinë e saj.

“Për sa kohë që alarmet tona dhe shqetësimet tona lidhur me këtë proces kanë ngelur të paadresuara për një periudhë thuajse dy vjeçare, e shohim shumë pak të mundur që ato të adresohen në një kohë shumë pak të shkurtër dhe kaq afër zgjedhjeve. “Është një shans i humbur për të gjithë procesin zgjedhor në Shqipëri që nuk u arrit të adresoheshin shqetësimet tona serioze në mënyrë që kjo formë të aplikohej edhe në zgjedhjet e ardhshme”, tha Ivi Kaso Sekretar për Çështjet Zgjedhore, PD.

“Nuk mundet tani që njëra palë, dy vjet pas zgjedhjeve, pa dhënë asnjë argument apo provë të faktueshme se procesi ishte i parregullt. Përtej pretendimeve që u ngritën votimi doli që ishte i rregullt. Nuk do kuroj paranojat e njerëzve apo aktorëve të ndryshëm politikë. A, nëse kanë pranoja për ndonjë proces të caktuar le të kërkojnë përmes akteve rregullatorë në KQZ ndonjë mbikëqyrje më shumë për një sistem për të cilin kemi rënë dakord dhe është i gjithëpranuar”, tha Damian Gjiknuri, Sekretar për Çështjet Zgjedhore, PS.

Socialistët nga ana tjetër kërkojnë që Tirana, qarku më i madh, ku mund të dalin mbi 38 deputetë të ketë votim elektronik, edhe për faktin se me listat e hapura, fleta e votimit do të ishte e vështirë të prodhohej e printuar.

“Unë e shoh fare të pamundur aplikimin pa konsensusin e njërës prej dy forcave kryesore politike, ose të paktën pa besimin tonë. Kemi përgjegjësi të njëjtë me mazhorancën për të bashkëdrejtuar këtë proces. Besoj që KQZ do ta vlerësojë mirë këtë moment”, tha Ivi Kaso Sekretar për Çështjet Zgjedhore, PD.

“Nuk është në dorën e partive politike për të penguar apo për të kërkuar më shumë votim elektronik. KQZ-ja ka disa gurë kilometrikë në këtë drejtim që duhet t’i plotësojë dhe po i plotëson. Qarku Tiranë ka më shumë sens për sa i përket menaxhimit logjistik, dhe fletës së votimit e cila do të jetë shumë e komplikuar”, tha Damian Gjiknuri Sekretar për Çështjet Zgjedhore, PS.

KQZ nuk e ka fshehur se edhe ajo si PS, preferon që Qarku Tiranë të votojë dhe të numërohet në formë elektronike.

Ilirjan Celibashi mendon ta marrë këtë vendim final brenda dhjetorit, por më përpara ka kryer një hetim mbi këtë lloj votimi në zgjedhjet e fundit, për të bindur Partinë Demokratike se makineritë nuk kanë krijuar asnjë manipulim. Gjithsesi, nga pamjet filmike KQZ pranon se ka gjetur disa operatorë me sjellje të parregullta, të cilët teksa ishin aty për të ndihmuar votuesit në distancë, mund të kenë orientuar apo parë se për kë ata kanë votuar.

Votimi elektronik është përdorur për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në njësinë numër 10 në Tiranë dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2023, në bashkitë Elbasan, Vorë dhe Kamëz.