Gjykata e Durrësit vendosi sot masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryeregjistruesin Ardian Kona, kushëriri i Monika Kryemadhit, i cili akuzohet për tjetërsimin e afro 13 mijë metrave katorë tokë në Gjirin e Lalzit.

Vendimi u dha nga gjyqtari Xhevdet Lika, bazuar në kërkesën e prokurores, Mediana Meta.

Ish-kreu i Kadastrës, Kona nuk ishte i pranishëm në seancë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, por u përfaqësua nga avokatja, Esmeralda Rama dhe nëna e tij, avokate, Flutura Kona.

Kjo e fundit është vajza e tezes së Monika Kryemadhit që e ka shoqëruar atë disa herë në SPAK.

Në bazë të kartelës shëndetësore të paraqitur në seancë, Kona ka probleme me zemrën, është diabetik si dhe ka hipertension, ndaj pas arrestimit është shtruar në spitalin e Durrësit.

Bazuar në hetimet e prokurorisë, Kona, në bashkëpunim me juristin e Kadastrës, Bledar Zerba dhe topografin, Leandro Dervishi kanë regjistruar një sipërfaqe toke prej 12,900 m² në Lalëz pa asnjë dokumentacion ligjor në emër të 44-vjeçares, Arta Demiraj.

Toka, e cila më parë kishte statusin “shtet”, u përvetësua në kundërshtim të plotë me ligjin për titujt e pronësisë.

Prokuroria thekson se regjistrimi u bë duke abuzuar me një vendim gjykate, ndërkohë që për pasurinë nuk ekziston asnjë Akt i Marrjes në Pronësi të Tokës (AMTP) apo dokumentacion mbështetës në arkivat e Kadastrës. Për këtë tokë në Gjirin e Lalzit, gjykata ka vendosur në korrik të këtij viti, sekuestro preventive.

Në seancën e sotme u bë e ditur se në vitin 2023, Bilbil Kërtusha banor në njësinë administrative Ishëm, e cila ka në territorin e saj dhe Gjirin e Lalzit ka paditur Kadastrën e Durrësit për një sipërfaqe toke prej 12.900 m2 e cila i ishte dhënë bashkëfshatarit të tij Kujtim Demiraj (babai i Arta Demiraj) banor në Shën Pjetër të Ishmit, duke pretenduar ai pronësinë mbi këte sipërfaqe.

Në këto kushte ka nisur hetimi për praktikën e dhënies së kësaj sipërfaqeje toke e cila është gjetur me shkelje të rënda sepse rezulton tokë shtet.

Avokatja ka pretenduar se Ardian Kona ishte “viktimë” e 2 punonjësve të cilët i kanë dërguar për firmë dokumentat e kësaj prone dhe në rutinën e firmosjes së qindra praktikave ka firmosur pa pasur dijeni per shkeljet.

Po kështu pretendon se dokumentat e sakta, pra AMTP, duhet të jenë në hipotekë gjë që nuk është marrë në konsideratë nga gjyqtari i seancës në vendimin e tij.

Për tjetersimin e tokës janë shpallur në kërkim juristi Bledar Zerba, topografi, Leandro Dervishi dhe përfituesja e tokës Arta Demiraj.

Kjo e fundit, në zgjedhjet e vitit 2023 ka kandiduar nën siglën e Partisë Republikane, për anëtare këshilli bashkiak në Tiranë. Ndësa në QKR, Demiraj rezulton aksionere ne nje kompani pastrimi me ortak italian.