Gjithçka ose asgjë. Kjo është situata në të cilën e sheh veten Kombëtarja, përpara 90 minutave përmbyllëse të Nations League. Në situatën aktuale të grupit B1, Shqipëria mund të pozicionohet e para me pak fat, por edhe mund ta mbyllë edicionin në vendin e fundit dhe të zbresë në Ligën C.

Kjo dilemë mundon edhe stafin teknik me në krye trajnerin Sylvinho. Drejtuesi i stolit duhet të zgjedhë nëse do të rrezikojë për ta fituar sfidën me Ukrainën, por do të tregohet i kujdesshëm që mos të humbasë. Ashtu si ndodhi së fundmi në ndeshjen me Çekinë.

Renditja e tregon qartë, edhe nëse merr tri pikët në duelin e fundit, fitorja mund të mos i mjaftojë Shqipërisë për ta fituar grupin. Në këtë pikë fati duhet të jetë me kuqezinjtë, sepse për vendin e parë fitorja e Kombëtares duhet të shoqërohet me patjetër me barazimin në sfidën Çeki-Gjeorgji.

Nëse çekët fitojnë ata do të kenë një pikë më tepër se Shqipëria. Nëse suksesin shkon për gjeorgjianët, ata pozicionohen të parët, sepse me barazimin e pikëve dhe përballjeve direkte me Shqipërinë, ata avantazhohen nga golavarazhi më i mirë.

Skenari tjetër, që askush nuk e pëlqen, atë ku Shqipëria humbet, do të bënte që Ukraina të na rrëmbejë vendin e tretë dhe të na zbresë në pozicionin e fundit. Kjo do të përkthehej në rënie automatike në Ligën C.

Të luash për fitore, do të thotë të rrezikosh edhe humbjen. Vendimi do t’i takojë vetëm Sylvinhos. Trajneri duhet ta ketë mësuar gjatë dy vjetëve në krye të Kombëtares se sa herë Shqipëria provon t’i bëjë llogaritë me laps dhe letër, asnjëherë nuk ia ka dalë mbanë. E vetmja rrugë do të ishte të hynim në fushë për ta fituar ndeshjen.