Gugash Magani e ka nisur me fitore aventurën e tij në stolin e Tiranës, ndërsa formacioni bardheblu ka triumfuar me rezultatin 4-0 përballë Bylisit në sfidën e javës së 13-të të “Abissnet Superiore”.
Në sfidën e luajtur në “Niko Dovana” të Durrësit, formacioni bardheblu nuk e diskutoi në asnjë moment fitoren. Pas një goli të anuluar në minutën e 8-të, të besuarit e Maganit kaluan në avantazh në fundin e pjesës së parë me një penallti të kthyer në gol nga Jarmouni.
Në minutën e 68-të është edhe njëherë Jarmouni që ka dyfishuar pas një aksioni të shpejtë, ndërsa ka shënuar të tretin Ismajli në minutën e 81-të. Për të mbyllur të gjitha llogaritë ka menduar Bajrovic në fundin e takimit.
4-0, për të koleksionuar fitoren e dytë në këtë sezon të Superiores(2 fitore, 8 barazime, 3 humbje), vendi i 7-të në klasifikim me 14 pikë. Bylisi mbetet në vendin e fundit me 10 pikë.