Tiranë, 4 Nëntor 2024 – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një vizitë në laboratorin e Departamentit të Kimisë në Fakultetin e Inxhinierisë Fizike dhe Matematikës në Universitetin Politeknik të Tiranës, një laborator modern që është pajisur së fundmi me aparatura të standardeve më të larta europiane, për të mbështetur kërkimin dhe zhvillimin shkencor në vend.
“Tashmë jo vetëm e kemi vendosur si prioritet, por shohim nga afër se si këto investime po i shërbejnë në fakt të mirës së shoqërisë. Ky laborator në Departamentin e Kimisë në Universitetin Politeknik të Tiranës ka rritur kapacitetet e tij në aparatura të cilat praktikisht ndihmojnë në analizimin e parametrave kimikë të ajrit, ujit, por edhe në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore,” theksoi ministrja Manastirliu.
Ky projekt është mbështetur përmes fondeve të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.
“Vetëm për këtë vit, Universiteti Politeknik i Tiranës ka përfituar nga mbështetja jonë për projekte të shumta të kërkimit dhe zhvillimit me 12 projekte, përfshirë 7 për përmirësimin e infrastrukturës kërkimore dhe 5 për kërkimin dhe zhvillimin. Në total, për vitin 2024, janë mbështetur mbi 130 projekte të ngjashme për universitetet shqiptare. Besojmë se universitetet duhet të zhvillohen me hapa të shpejtë për të përmirësuar teknologjinë dhe fuqizuar infrastrukturën e kërkimit. Do të vijojmë të mbështesim këto laboratorë si dhe strukturën e të gjithë arsimit të lartë.” tha Ministrja Manastirliu.
Ministrja falënderoi gjithashtu ekipin shkencor për përkushtimin dhe kontributin e tyre në nismat shkencore dhe në zhvillimin e nanoteknologjisë dhe nënvizoi se laboratorë të tillë, si ky në Universitetin Politeknik të Tiranës, krijojnë mundësi të reja për hulumtime në fushën e mjedisit.
“Është shumë e rëndësishme që të krijojmë një bazë të fuqishme kërkimore, me aparatura të fjalës së fundit të teknologjisë që ofrojnë mundësi për analiza të ajrit, ujit dhe tokës. Ky laborator, si një investim i qeverisë dhe një model për bashkëpunimin akademi-biznes, është vërtet një hap përpara në ndihmën për përmirësimet mjedisore në vend,” tha Ministrja Manastirliu.
Qëllimi është që ky laborator të akreditohet sipas normave të BE-së për kryerjen e matjeve.
Home Lajme Aktualitet Manastirliu në laboratorin e ri në UPT: Mbështesim kërkimin shkencor në universitete...