Në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohet në parim projektligji “Për buxhetin e vitit 2025”.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në fjalën e tij, prezantoi edhe buxhetin që i është akorduar këtij institucioni nga qeveria. Që në krye të fjalës së tij, ministri u bëri me dije kolegëve të opozitës se buxheti që qeveria sjell sot në Kuvend, mbështet atë program dhe vizion me të cilin kërkuan votat e qytetarëve shqiptar në 2021.
“Është një buxhet që vjen pa u ndryshuar paketa fiskale. Ky buxhet garanton funksionimin normal të administratës publike për të vijuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Garanton qëndrueshmërinë dhe rritjen e ekonomikë të Shqipërisë për 2025. Garanton investimet publike”- u shpreh Manja. Duke u ndalur tek buxheti për ministrinë e Drejtësisë për vitin 2025, Manja tha se është buxheti është 14.3 miliardë lekë. “Më këtë buxhet Ministria e Drejtësia e realizon misionin përmes 9 programeve buxhetore”- u shpreh me tej Manja.
Manja tha se 7.9 miliardë lekë do të shkojnë për shpenzime për paga dhe sigurime shoqërore. Sa i takon investimeve të brendshme për vitin 2025, Manja tha se për sistemin e burgjeve janë shtuar me 133%, ku kryesisht projekti kryesor do të jetë për ndërtimin e një paraburgimi të ri në Kukës. Duke u ndalur tek buxheti për sistemin e drejtësisë, Manja tha se është një buxhet që vjen me rritje.
“Nëse në 2013, ende pa filluar reforma në Drejtësia buxheti që shkonte për drejtësinë ishte 12.67 miliardë lekë, në 2024 është 26.9 miliardë lekë, ndërsa për 2025 është parashikuar në masën 27.02 miliard lekë. Buxheti i sistemit të drejtësisë për vitin 2025 është parashikuar me rreth 14 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013!”- tha Manja.