Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mori pjesë sot në Ceremoninë e Njohjes së të Drejtës për Ushtrimin e Profesionit të Ndërmjetësit midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke e cilësuar si hap simbolik dhe bashkëpunim për drejtësi efektive. Gjatë fjalës së tij, Manja tha se marrëveshja që nënshkruajmë sot është një moment historik dhe simbolik për bashkëpunimin mes dy vendeve tona. “Ajo shpreh një angazhim të përbashkët për të vendosur dialogun dhe pajtimin në qendër të drejtësisë, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në shërbim të qytetarëve tanë”- tha Manja.
Ndër të tjera Manja tha se në Shqipëri, ndërmjetësimi është një alternativë premtuese ndaj proceseve tradicionale gjyqësore. “Synimi ynë është të promovojmë ndërmjetësimin si një rrugë të parë për zgjidhjen e konflikteve, duke kursyer kohë dhe kosto për qytetarët”- shtoi Manja.
Sipas Manjës, gjykatat duhet ta shohin ndërmjetësimin si një mjet të rëndësishëm për lehtësimin e ngarkesës dhe për përshpejtimin e proceseve gjyqësore. Duke u ndalur tek arritjet dhe reformat në ndërmjetësim, Manja tha se janë licensuar 287 ndërmjetës dhe zhvillimi për herë të parë i testimeve në nëntor 2023, me licencimin e 79 kandidatëve të rinj. Sa i takon ndërmjetësimit në Strategjinë e Drejtësisë 2024-2030, Manja tha se “strategjia jonë e re përfshin një objektiv specifik për ndërmjetësimin: Zhvillimin e mekanizmave të zgjidhjes alternative të konflikteve; Promovimin e ndërmjetësimit si një mjet efektiv dhe të besueshëm; Zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta për ndërmjetësit shqiptarë dhe kosovarë në zbatim të kësaj marrëveshjeje”.
Manja shtoi po ashtu se roli i ndërmjetësit është më shumë se një profesion; është një mision i përkushtuar për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të ndihmuar drejtësinë. “Ndërmjetësimi kërkon objektivitet, durim dhe profesionalizëm për të arritur zgjidhje që shërbejnë interesit më të mirë të palëve dhe drejtësisë”- u shpreh Manja.
Duke u ndalur tek bashkëpunimit ndërkufitar, Manja tha se kufijtë fizikë nuk mund të jenë pengesë për ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira. “Kjo marrëveshje është një shembull frymëzues për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë dhe një model për projekte të tjera të përbashkëta”- tha Manja. Sipas ministrit, kjo ditë duhet të shërbejë si motivim për të fuqizuar më tej ndërmjetësimin dhe për të sjellë drejtësinë më pranë qytetarëve.