Kampioni në fuqi i botës, Max Verstappen i Red Bull fitoi Çmimin e Madh të Brazilit në Formula 1, në pistën e Interlagos. Mes problemeve nga rreshjet e shiut, holandezi ka përfituar dhe e ka kaluar vijën e finishit i pari pas 69 xhirove, kjo duke e nisur garën nga pozicioni i 17-të. Tre herë kampioni i botës thellon diferencën me Norris dhe është me “një dorë” te titulli i katër kampion bote radhazi.

Në podium dy pilotët e Alpine, me Ocon në vendin e dytë përpara Gasly; pastaj Russell i katërti, Leclerc dhe Norris, tani -62 pas Max Verstappen. Holandezi gjithashtu ishte autori i xhiros më të shpejtë dhe gjithnjë e më shumë pranë titult kampion si lider i renditjes së Kampionatit Botëror të Pilotëve me tre gara për të përfunduar sezonin (Las Vegas, Katar dhe Abu Dhabi).

Nëse dita e McLaren ishte e hidhur, ajo shkoi edhe më keq për Ferrarin. Leclerc i pesti dhe Sainz jashtë. Tanimë gara e radhës në F1 do jetë në fundjavën mes 22-24 nëntorit në Las Vegas, me garën e së dielës që do fillojë në orën 7 të mëngjesit me atë shqiptare. Pistë speciale për Verstappen që ka fituar 62 gara në karrierë dhe në atë të radhës mund të kurorëzohet kampion për herë të katërt radhazi me Red Bullin e tij.

Renditja

Sa i takon renditjes për pilotë, Max Verstappen prin me 393 pikë, 62 më shumë se Norris (331). Pas tyre Leclerc (307), Piastri (262), Sainz (244), Russell (192), Hamilton (190) etj.

Për skuadra kryeson McLaren me 593 pikë, ndjekur nga Ferrari me 557 pikë dhe më pas Red Bull me 544 pikë.