Zv/ministri i drejtësisë, Tedi Dobi prezantoi sot në në Komisionin e Sigurisë Kombëtare projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”,
Në fjalën e tij në prezantim Dobi theksoi se, kjo është një nga nismat shumë të rëndësishme ligjore edhe në kuadër të procesit të integrimit në BE.
Duke folur edhe në funksionin si negociator për Kapitullin 23, Dobi tha se, “kjo është një piketat e ndërmjetme për procesin e integrimit në BE. Është me të vërtetë një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për ne”.
Sa i përket risive të këtij pr/ligji, ai përmendi “zgjerimin e të drejtave të subjektit të të dhënave dhe përmirësimin e të drejtave që ai gëzon aktualisht me qëllim garantimin e një niveli kontrolli më të lartë mbi të dhënat e tij personale,
Risi të tjera, theksoi Dobi janë edhe “përfshirja e detyrimeve të reja për kontrolluesit dhe përpunuesit e të dhënave. Shtimi i kategorive të të dhënave personale sensitive, të dhëna gjenetike, të dhëna biometrike, të dhëna të orientimit seksual”.
Në të njëjtën kohë, shtoi ai, “paraqitet si kusht thelbësor detyrimi i kontrolluesve dhe pranuesve për të garantuar masa mbrojtëse të përshtatshme”.
Për herë të parë, u shpreh zv/ministri, “integrohen raste për transferimin e të dhënave personale pa autorizimin e Komisionerit në vendet me nivel të pamjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave në përputhje edhe me parashikimet e rregullores”.
“Forcohet mandati i Komisionerit në interes të pavarësisë së tij dhe zgjerohen kompetencat në fushën e mbrojtës së të dhënave personale, duke përfshirë gjithashtu për herë të parë kompetenca ndihmëse, si ato hetimore dhe korrigjuese në funksion të përmbushjes së detyrimeve”, tha ai.
Dobi theksoi se, “një risi që sjell pr/ligji është shikimi i sanksioneve administrative në rritje, me qëllim përshtatshmërinë me parashikimet e GDPR-së (rregullores)”.
“Ky është një tregues i qartë për rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave personale dhe zbatimi i detyrimeve që burojnë nga kuadri ligjor në këtë fushë”, tha Dobi.
Ndërsa Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi në fjalën e tij u shpreh se, “ky është një nga ligjet më të rëndësishme, për të mos thënë që është ligji i parë që transpozohet 100% dhe që është transpozimi i GDPR (General Data Protection Regulation)”.
“Zyra e Komisionerit që prej vitit 2016 është pranuar anëtare e Bordit Evropian të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave që besoj është një rezultat pozitiv dhe një vlerësim shumë i madh, pasi është ndoshta institucioni i parë shqiptar që është ulur si i barabartë në tryezën e vendeve të BE-së”, tha ai.
Por, shtoi Komisoneri, “kjo sjell dhe detyrime dhe detyrimi kryesor ka qenë sjellja e legjislacionit shqiptar në nivelet e legjislacionit të BE-së”.
“GDPR është miratuar në vitin 2016 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2018. Ne kemi aplikuar menjëherë për një projekt binjakëzimi dhe ky pr/ligj është realizuar falë ndihmës dhe mbështetjes së një projekti binjakëzimi të financuar nga BE”, tha Dervishi.
Komisioneri u shpreh se “janë zhvilluar 12 tryeza konsultimi me grupet e interesit me sektorët kryesorë si ai bankar, telekomunikacioni, shëndetësia, profesionet e lira, organet ligj zbatuese, sektori publik arsimi dhe shoqëria civile”.
Gjithashtu shtoi Dervishi, “janë zhvilluar edhe takimet e konsultimit publik të bashkëorganizuara me Ministrinë e Drejtësisë”.
“Gjithashtu është konsultuar për një periudhë shumë të gjatë 4 herë me KE-në, me njësinë e mbrojtës së të dhënave personale për ta sjellë këtë ligj pikërisht në parametrat dhe standardet e BE-së”, tha Dervishi.