Procesi i verifikimit për drejtorët e rinj të qarqeve në Policinë e Shtetit është mbyllur dhe pritet që javën që vjen të bëhen me dije emrat e drejtuesve të rinj. 7 nga 12 drejtuesit aktualë të Policisë së Shtetit kanë aplikuar për të mbajtur një post drejtues në garën për zgjedhjen e drejtorëve të rinj të Policisë. Në total janë 43 aplikime në total, por janë kualifikuar 42 prej tyre.

Komisioni për vlerësimin e aplikimeve për të emëruar nr.2 të policisë së shtetit dhe drejtorët e departamenteve, përbëhet nga një përfaqësues i ministrisë së brendshme, një tjetër nga policia e shtetit dhe një nga Akademia e Sigurisë. Ndërsa komisioni për të caktuar drejtorët e departamenteve dhe shefat e komisariateve përbëhet nga 3 përfaqësues të policisë së shtetit.

Vlerësimi i kandidatëve do të marrë 10 ditë kohë, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore, ndërsa komisioni më pas do listojë kandidatët që plotësojnë kriteret dhe ata që s’kualifikohen. Kandidatët do të pyeten për aftësitë profesionale, integritetin moral, aftësitë organizative dhe drejtuese. Për funksionet zëvendës drejtor i përgjithshëm dhe drejtor departamenti, Ilir Proda do i propozojë ministrit 3 kandidatët me pikët më të larta. Ndërsa funksionet e drejtorit të drejtorisë vendore dhe shefit të komisariatit janë kompetencë e Prodës, i cili do të zgjedhë mes 3 emrave për secilin dikaster.