Në një intervistë ekskluzive për gazetën TemA, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, flet në lidhje me disa nga temat më të diskutuara në politikën shqiptare, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi raportet mes mazhorancës dhe opozitës, sfidat e reformës në drejtësi dhe domosdoshmërinë për përmirësimin e proceseve demokratike, si vota e diasporës.
Peleshi ndalet fillimisht te dinamika e tensionuar mes dy kampeve politike, duke vënë në dukje se përplasjet e ashpra në publik nuk reflektojnë gjithmonë marrëdhëniet reale jashtë sallës së Kuvendit. Ai pohon se, ndonëse ndarjet ideologjike dhe kursi i partive janë të pashmangshme, ekziston një mirëkuptim i heshtur për të ruajtur lidhjet njerëzore dhe dialogun e shëndetshëm mes deputetëve. “Na ndan politika, por s’ka pse të na ndajë njerzillëku,” thekson Peleshi, duke shtuar se shumë prej kolegëve të tij janë të hapur për takime informale dhe diskutime jashtë kamerave.
Përballë protestave të shpeshta dhe retorikës së fortë të opozitës, sidomos në prag të zgjedhjeve të vitit 2025, Peleshi kritikon qasjen e mobsindjes civile të opozitës që, sipas tij, është metodë e tejkaluar e të bërit politikë. Ai thekson rëndësinë e kthimit në një atmosferë më konstruktive dhe nxit opozitën të heqë dorë nga taktikat e “mosbindjes civile,” duke shprehur besimin se dialogu është rruga e vetme për të ecur përpara.