Në prag të grumbullimit të ekipit kombëtar që nis sot, për dy ndeshjet e vlefshme për Nations League ndaj Çekisë (16 nëntor, ora 20:45) dhe Ukrainës (19 nëntor, 20:45), në konferencën për media nga stadiumi ‘Air Albania’, ishte edhe mesfushori i ri Feta fetai, i cili foli për dy ndeshjet e radhës.
Mesfushori i afruar për herë të dytë në Kombëtare nga trajneri Sylvinho, iu përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve. Fetai u shpreh i gatshëm për të dhënë maksimumin, ndërsa nënvizoi se ekipi e ka pritur shumë mire, së bashku me stafin teknik.
Mendon se do të kesh minuta? “A do të kem minuta nuk di ta them, e di stafi teknik. Nese do të kem, do të jap maksimumin si në stërvitje, si në ndeshje”.
Sa i gatshëm je për t’u futur në lojë? “Jam i përgatitur si gjithmonë, edhe për klubin, edhe për Kombëtaren. Jam gati për çdo ndeshje”.
Si është marrëdhënia me pjesën tjetër të ekipit? “Nga ana e trajnerit, stafit teknik edhe lojtarët më kanë pritur shumë mirë. Më kanë dhënë besimin e duhur për të dhënë më të mirën. Sa i përket të ardhmes, nëse do të jem epiqendra e ekipit, shpresoj të jem një prej tyre”.
Grumbullimi i dytë me Kombëtaren, na trego pak për emocionet? “Hera e parë është e veçantë, por edhe kjo ka veçantinë e vet. Ndjenjë shumë e mirë, skuadra më ka pritur shumë mirë si herën e parë edhe tani, së bashku me stafin teknik”.
Si e shikon të ardhmen tënde brenda Kombëtares? “Ëndrra e çdo fëmije është të luajë me Kombëtaren. Çdokush ka ëndërr të luajë në Europian, ose botëror me Kombëtaren”.
Krahasimi me Luka Modriç dhe idhulli shqiptar? Modriçin e preferoj shumë si lojtar. Sa i përket lojtarëve shqiptarë, ka shumë që i preferoj si Asllani, Ramadani”.
Ndaj Çekisë, do të donit të asistoni si Modriç, apo të shënonit si ai? “Do të doja të dyja. Rëndësi ka fitorja, nuk ka rëndësi se kush shënon apo asiston”.