“Të sillemi si bij të planetit, jo si zotër të tij”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali gjatë fjalës së mbajtur në takimin Parlamentar për Ndryshimet Klimatike në Azerbajxhan.

Spiropali tha se nuk duhen mbajtur më qëndrime asimetrike në përballimin e ndryshimeve klimatike.

Në fjalën e saj në panelin e sotëm “Roli i parlamenteve në realizimin e angazhimeve për klimën”, Spiropali nënvizoi se “Parlamentet luajnë një rol thelbësor në zhvillimin dhe zbatimin e kontributeve kombëtare, të cilat janë në qendër të Marrëveshjes së Parisit për të luftuar ndryshimet klimatike”.

Sipas saj, ato sigurojnë karakterin gjithëpërfshirës të procesit, konsolidojnë kuadrin ligjor, garantojnë mbështetje financiare, ushtrojnë kontrollin parlamentar dhe mbikëqyrin qeveritë në përmbushjen e angazhimeve dhe forcojnë dimensionin ndërkombëtar të bashkëpunimit për ndryshimet klimatike.