TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama ishte i pranishëm në punimet e Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për çështjet dhe sfidat e lidhura me Pronën, në kuadrin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Shefi i qeverisë shqiptare u shpreh se në këtë proces të Shqipërisë drejt BE të gjitha pushtetet duhet të bëjnë progres, jo vetëm qeveria.

Ai shtoi se pika e takimit të pushteteve të tjera duhet të jetë Kuvendi, i cili sipas tij, duhet të kërkojë llogari për detyrat në këtë proces kyç të vendit.

“Lidhur me këtë proces, dhe me vetë këtë komision, në këndvështrimin tim, ky komision është sot një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për suksesin tonë në procesin e anëtarësimi dhe për negociatat, sepse në BE ne nuk shkojmë vetëm si qeveria e Shqipërisë , por shkojmë si një front institucionesh, që përfaqësojnë tri pushtetet, të cilat në marrëdhëniet me njëri-tjetrit kanë hapësira komunikimi dhe kanë dhe kufi, sepse janë të pavarura me njëra tjetrën. Koordinimi dhe ecja në mënyrë uniforme sa i përket performancës së të gjitha institucioneve garantohet nëse Kuvendi bëhet një udhëkryq, që të gjitha forcat që veprojnë dhe ndërveprojnë në emër të shtetit shqiptar ku pikëpatakohen dhe të gjitha këto forca, që mund të japin llogari dhe që mund t’u kërkohet llogari. Nëse përparon vetëm qeveria dhe nuk përparon një institucion tjetër, që nuk është nën urdhrat e saj dhe qeveria nuk mund t’i kërkojë llogari, atëherë cili është autoriteti që edhe ky institucion të vihet para llogarisë, askush dhe askund tjetër përveçse në Kuvendin e Shqipërisë të kërkohet një masë e tillë.”, tha ai.