Gazetari Lorenc Vangjeli tha se e kishte denoncuar ekzistencën e platformave të enkriptuara vite më parë dhe kishte treguar se posedues të saj janë politikanë të lartë, ministra, ish-ministra, anëtarë të sistemit të drejtësisë dhe disa nga bosët më të mëdhenj të krimit.

Ai e cilësoi propozimin e opozitës për vetëdeklarim të të gjithë politikanëve që kanë përdorur Sky ECC të pazbatueshëm dhe në kundërshtim me kushtetutën.

“Është një propozim politik, por jo juridik. Tenton, nisur nga klima e përgjithshme, që duan të tregojnë mazhorancën si bartësen kryesore dhe të vetme të saj dhe që kjo dëshmon lidhjen e saj me krimin.

Është një gjë që nuk ka qenë e paligjshme në kohën kur përdorej, është një faull moral por jo penal.

Por edhe ideja se duke qenë posedues i një aparati të tillë të bën fajtor me një ligj të veçantë tentohet të krijohet një fajësi kolektive, ndërkohë që fajësia mund të jetë vetëm individuale.

Mjeti më duket i gabuar. Ligjërisht është e pazbatueshme dhe bie ndesh me kushtetutën dhe ligjet”, tha Vangjeli.