Pas fitores së zgjedhjeve presidenciale në SHBA nga Donald Trump, mbështetësit e Berishës janë shfaqur entuziastë, pasi shpresojnë se liderit të tyre mund t’i hiqet ‘non-grata’.
Lidhur me këtë temë u diskutua edhe mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, ku ish-deputeti Halit Valteri u shpreh se ‘non grata’ e Berishës ka filluar që kur në pushtet ishte Donald Trump në mandatin e parë dhe u konkludua në administratën e Joe Biden.
Ai tha se nuk di ndonjë rast kur shpallja ‘non grata’ nga DASH e një personi të jetë hequr.
‘Shpallja ‘non grata’ e Berishës ka filluar me administratën Trump dhe është konkluduar me administratën e Biden. A është ‘non grata’ Berisha ajo, mendoj se është gjëja e fundit që mund të mendoj Trump. Nuk ka rëndësi kush e bënë ‘non gratën’ një person, nëse je shpallur ‘non grata’ nga DASH nuk di ndonjë rast që është hequr’, tha ai.
Por, gazetari Almer Toska, mendon ndryshe nga Valteri. Ai u shpreh se nëse Berisha lobon ‘non grata’ edhe mund ti hiqet.
‘Atë e ka në dorë Berisha nëse ai lobon fortë, mund të hiqet. Duhet që mirëargumentimi të jetë baza para administratës së Trump. PD duhet që nëse atij i është bërë padrejtësi ta thotë këtë gjë dhe nëse nuk ka asnjë reagim nga SHBA, atëherë kemi të bëjmë me një vend të fortë, unanim. A do ta arrijë Berisha këtë gjë? Kjo është në dorë të tij, nëse ai do që ta heq këtë njollë’, tha ai.
Halit Valteri u ndal edhe tek burgosja e Ilir Metës. Ai e cilësoi kreun e PL si të vdekur politikisht.
Valteri tha se edhe Kryemadhi do të shkojë në burg lidhur me deklaratat e bëra se ajo ka paguar para kesh dhe jo Meta.
‘Nuk kam ndonjë informacion për gjendjen e tij. Meta është një i vdekur politikisht që ka marr fund bashkë me koorporatën e tij, bashkë me Kryemadhin dhe të tjerë. Mendon se do ta mposhtë Ramën nga burgu. Edhe Monika do shkojë në burg, ajo tha i kam paguar kesh ato para, e pranon vet’, tha ai.
Toska u shpreh se Meta nuk mund të akuzohet se ka vjedhur kur nuk ka prova. Ai theksoi se Metën e duan jashtë politikës.
‘Meta është një nga njerëzit më të akuzuar, por ai akuzohet për 15 mijë euro për ndërhyrje, ndërkohë SPAK nuk ka vërtetuar akuzat për cez -dia. Pra, janë këto akuza dhe ti kapesh me cikërrima dhe jo gjënë e madhe. Metën e duan jashtë politikës. Meta ka të mirat dhe të keqet e tij në politik dhe ka bërë shumë punë të mira në Shqipëria. Meta nuk mund të quhet hajdut pa fakte’, tha ai.