Jonida Maliqi ka bërë një hap të ri, duke paditur ish-bashkëshortin e saj, Gent Prizrenin, për mosplotësimin e detyrimeve ekonomike ndaj djalit të tyre, Dan. Pas 8 vitesh nga divorci, Jonida, e shoqëruar nga avokati i saj, u paraqit ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar që ish-partneri i saj të përmbushë angazhimet financiare të marra për mbështetje të fëmijës së tyre.

Sipas kërkesës së Jonidës, ata kishin rënë dakord që Gent Prizreni të paguante një shumë prej 2 mijë eurosh çdo muaj për nevojat e Danit. Këngëtarja ka kërkuar që ky marrëveshje të zbatohet, duke i kërkuar ish-bashkëshortit që të respektojë detyrimet që ka marrë përsipër ndaj fëmijës së tyre.

Në reagimin e tij të menjëhershëm, Gent Prizreni publikoi disa dokumente dhe fatura bankare që vërtetojnë se ka derdhur shuma të caktuara në llogarinë e Jonidës, duke i dhënë përgjigje pretendimeve të saj. Ai e ka mbështetur qëndrimin e tij me prova konkrete që sipas tij, tregojnë se ka përmbushur detyrimet e tij financiare.

Megjithatë, këngëtarja nuk ka mbetur pa reaguar. Pasi ai publikoi faturat, Jonida u shpreh në rrjetet e saj sociale, duke lënë një mesazh që duket se ka pasur një qëllim të drejtpërdrejtë.

“Çfarë kam toleruar më parë, nuk do e toleroj sërish dhe jam e vendosur në këtë! Mbaj mend tetor 2022 deri në mars 2023,” shkroi Jonida, duke lënë të kuptohet se ka kaluar një periudhë të vështirë, dhe se nuk do të lejojë më të tolerojë sjellje që nuk janë në interesin e djalit të saj.