Nga Adri Kalaja/
Temperaturat e ulëta, shiu dhe netët e gjata duket se ofrojnë edhe momentin më të përshtatshëm për t’iu rikthyer më në thellësi leximit, por edhe problematikave që has libri dhe botimet shqip. Bëhet fjalë për Panairin e Sivjetshëm të Librit, Tirana 2024.
Shtëpitë botuese shqiptare vijnë me një sërë prurjesh të reja por dhe publik të reduktuar. Një pjesë e tyre janë mjaft cilësore si përkthime të letërsisë apo filozofisë së huaj por disa kanë dhe probleme.
Sidomos mungojnë përkthimet nga gjuha gjermane, autorë të mëdhenj të lëmisë së Filozofisë si Hegel, Kant, Shopenhauer, Heidegger. Por dhe letërsi e madhe amerikane. Vetëm tek tuk kemi përkthime nga Fitzgerald dhe nga letërsia frënge, Proust nuk është përkthyer i plotë dhe jo nga e njëjta dorë.
Ndërkohë që Dostojevski do duhej përkthyer me ekip pune, kemi një sasi të paparë librash kuzhine apo letërsi “si të mbash veten në formë”.
Hannah Arendt është përkthyer pak dhe gabim.
Një arsye mund të jetë financiare sepse përkthyesi paguhen pak por edhe projektet janë të vështira për tu gjetur, shtëpitë botuese, edhe ato serioze shpeshherë përtojnë të shkojnë të trokasin në dyert e fondacioneve.
Ardian Klosi la pas një vrimë të madhe.
Çmimet sigurisht janë pak të larta por ky nuk është problem kryesor. Interesi mbetet më kryesori. Dhe koha për të lexuar. Në epokën dixhitale ku telenovelat dhe “jeta e shpejtë” kanë zëvendësuar biçikletën dhe librin poetët, me e thënë me Platonin, janë përjashtuar nga qyteza.
Botuesit shprehin shqetësim se largimi i shqiptarëve në emigrim ka ulur numrin e lexuesve, por njëkohësisht edhe të rinjtë po preferojnë të lexojnë më tepër në gjuhë të huaja, kryesisht në anglisht. Kjo vërehet nga numri i lexuesve në seksionin e librit të huaj te Adrioni.
Disa përkthime janë bërë me mercenarë dhe cilësia e tyre nuk është shumë e mirë ndërkohë që asfare nuk kemi shumë besim te autorët dhe përkthyesit tonë autoktonë.
Madje këto janë bërë figura komike dhe objekt talljesh, gjithmonë kur i njohin.
Disa përkthimeve të tjera duket sikur i ka ikur korrektori gjuhësor me lejen e zakonshme, sidomos atyre të psikologjisë apo librit akademik. Ato që do duhej të ishin më seriozet sepse shkojnë në duart e studentëve.
As Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë ndonjë platformë për librin elektronik, biles posta e librave nga Shqipëria në Kosovë kushton 39 euro. Si thotë një miku im kosovar, këta sjan normal bre!
Shumë lexues shqipfolës do duhej të kishin akses te libri elektronik por nuk kanë dot sepse nuk është ndërmarrë një nisëm e sinqertë ndërsa për librin e dëgjuar po, kujtojmë Violeta Volumin.
Formati elektronik të jep edhe mundësinë të shkarkosh një pjesë të shkurtër të librit për ta parë nëse të pëlqen dhe të kesh mundësi ta blesh. Është edhe më efektiv, pasi kushton më pak, duke qenë se nuk shpenzohet aq sa për shtypjen e librit në letër. Ruan edhe mjedisin.
Në këto pika. Industria e librit shqip mbetet të përmirësohet.