Pastori Akil Pano ka rrëfyer një moment delikat që ka shenjuar jetën e tij. Gjatë një interviste për “S’e Luan Topi”, pastori ka folur për humbjen e babait të tij.

“Babai më ka munguar në fazën kur unë u bëra baba. Shumë interesante ta imagjinosh. Babai im vdiq kur unë isha 17 vjeç dhe kanë qenë momente që këtë rrëfim e kam bërë vetëm me Zotin. Këtë mbrëmje po e bëj me ju. I jam lutur Zotit që të më mësojë, të më udhëheqë, të më drejtojë si një baba i ri për birin tim. T’i jepja atij atë model që babai im nuk pati mundësi të ma jepte. Kështu që mendoj se ky ka qenë një moment kritik në jetën time.

Babai do të nisej për të punuar në Greqi, pasi uzinat dhe fabrikat në Tiranë nisën të mbylleshin. Plani ishte që unë do ta ndiqja babain ndoshta pas 6-7 muajsh, që unë të punoja me të. Atë ditë unë e përcolla për tek autobusi. Dhe ditën që unë e përcolla babain tim te autobusi që duhet të vinte, ne ishim diku te 20 minuta përpara, babi im rrëzohet në tokë krejt papritur. Ne po bisedonim, një moment unë po shihja diku, kthej kokën dhe shoh që babai im ishte rrëzuar. Imagjinoni shokun e momentit që unë gjendesha.

Ulem pranë tij, filloj ta tund dhe i them: ‘Bab! Më fol, çfarë ke? Si mund të të ndihmoj?’. Nuk do harroj që në ato momente nuk mund të thoshte asgjë. Pati një goditje, arrest kardiak dhe nuk do harroj një lot që zbret nga syri në fytyrën e tij. Ai po më shihte dhe unë po e shihja. Ky ishte takimi im i fundit me të. Këto ishin momentet e fundit me babain tim, që në ato çaste, trupi i tij po dergjej në krahët e mi. Unë isha në qendër të qytetit dhe e vetmja gjë që mendoja ishte të vrapoja. Ta lija babain tim mes të panjohurve dhe të shkoja te poliklinika qendrore. Kështu bëj në fakt. Ishte një mjek që vjen së bashku me shoferin, ato ambulancat e vjetra të kohës së komunizmit, kthehemi duke shpresuar se babai ishte gjallë dhe do ishte ngritur.

Gjej mamanë time mes të panjohurve që qan. Disa shokë të babait tim ishin atje. E marrim babain dhe e fusim në ambulancë. Unë jam personi i fundit që futet në ambulancë dhe pyetja e madhe që kisha ishte kjo: ‘Si mundet jeta e një njeriu të ndryshojë brenda një minute?’”.