Nga Ben Andoni

Instalacioni “Postbllok” është dëmtuar. Një nga paretet e xhamit, që rrethon platformën e bunkerit dhe ku vizitori mund të këqyrë brendësinë e objektit, është hequr fare, kurse paretet e tjera janë dëmtuar (të krisur, mbase nga përdorimi i vazhdueshëm i forcës) dhe me sa duket shpejt do të kenë të njëjtin fat. Brenda janë shkruar slogane dhe ndotur. Shkruesi i këtyre rreshtave, që e përshkon shpesh udhën pranë, e ka konstatuar vetëm pak orë më parë, por me gjasë shumë të tjerë mund ta kenë pikasur shumë më parë. Shqetësues nuk është vetëm dëmtimi dhe indiferenca e strukturës që merret me mbarëvajtjen e veprave monumentale, por ashpërsia e individit tonë përballë tyre. Kuptohet se monumentet dhe instalacionet nuk kanë gojë, nuk kanë ruajtje specifike, apo rrethim, por janë aty të dëshmojnë pjesë të historisë sonë, për të cilën jemi shumë “krenarë”. Më së shumti në stadiume dhe në rrjetet sociale, ku patriotizmi ynë është i pamatë dhe i vendosim të gjithë përfund. Në këto ditë të tronditjes, ku çdo gjë e ka sfumuar vdekja e një të riu 14-vjeçar, apo ngjarjeve të rënda kriminale ngado, një gjë të bën përshtypje të thellë, nga ku buron kjo egërsi e individit tonë, ndaj veprave të tilla? Pse na vret e bukura? Pse e përçmojmë të veçantën? Pse nuk mundemi t’i mirëmbajmë, thjesht duke mos i dëmtuar?! Pse nuk i ruajmë, duke u folur keqbërësve apo duke lajmëruar policinë? Pse nuk kufizohen këta të sëmurë prej urrejtjes pa objekt? Pse nuk na vret sytë, një gjë kaq e brishtë? Sa shumë ‘pse’! Dikush mund të rreshtonte edhe shumë të tjera. Nuk janë tundimet e mëdha në këtë shekull që po na shkatërrojnë, por janë pikërisht të voglat, që i hasim ngado dhe që po e zbehin demokracinë shqiptare.

Instalacioni monumental “Postblloku” ka pak më shumë se një dekadë, që ekziston në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pak metra larg monumentit të njeriut tonë të pavarësisë, Ismail Qemali. Mban si autorë publicistin e njohur Fatos Lubonja dhe artistin Ardian Isufi. Qëllimi i këtij instalacioni, që tashmë është bërë tërheqje për turistët, konsiderohet kujtimi dhe mosharresa e krimeve dhe vuajtjeve të shkaktuara nga diktatura komuniste në Shqipëri. Si datë inaugurimi e tij mbahet 26 Mars 2013. Përmbajtja e instalacionit lidhet me disa shtylla betoni, renditur njëra pas tjetrës, të marra nga Burgu i Spaçit, të cilat shërbenin si përforcim në galeritë e minierës, ku punonin dikur të burgosurit. Kurse, objekti, që po apelojmë është një bunker real, simboli i diktaturës komuniste shqiptare. Për ta bërë më tërheqës dhe për t’i dhënë dimension ndërkombëtar, autorët arritën të merrnin edhe një copë nga Muri i Berlinit (dhuratë e Bashkisë së kryeqytetit gjerman për Bashkinë e Tiranës), që simbolizon izolimin tonë në kohën e diktaturës.
Por e gjithë kjo përpjekje është zeruar nga mllefet e individëve, që tashmë nuk i bën përshtypje asgjë dhe mundohen të relativizojnë në këtë mënyrë, batërdinë mendore të tyre. Tek e fundit me “Postbllokun” ç’patët?! (Javanews)