3 janë ish-gjyqtarët që janë “goditur” nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në aksionin e nisur në orët e para të mëngjesit, 2 prej tyre kanë përfunduar në pranga pasi dyshohet se kanë dhënë vendime korruptive duke favorizuar Suel Çelën dhe grupin e tij. Në pranga kanë përfunduar ish-gjytarët Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu, ndërsa SPAK ka ushtruar kontrolle në banesën e ish-gjyqtarit tjetër Taulant Tafa. Megjithatë, në mungesë të një njoftimi nga SPAK, ende nuk dihet se cilat janë aktet që kanë kryer si dhe ishte ushtruar kontroll në banesën e ish-gjyqtarit tjetër Taulant Tafa. Por kush janë 3 ish-magjistratët?
Taulant Tafa
Ish-gjyqtari Taulant Tafa u shkarkua nga detyra në prill të vitit që lamë pas nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK. Para se t’i nënshtrohej procesit të Vettingut, në korrik 2022, Tafa u përball me një procedim disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor për vendimin e tij për uljen e dënimit me 720 ditë për Arben Grorin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë argumentoi se vendimi kishte favorizuar të dënuarin për vrasje dhe kërkoi shkarkimin e Tafës, por KLGJ vendosi masën e pezullimit 3-mujor për subjektin. Po ashtu, subjekti kishte probleme edhe me justifikimin e pasurisë dhe me lidhjet me persona që kishin probleme me ligjin. Nga hetimi u gjet se Tafa kishte marrëdhënie shoqërore me E.S., i dënuar në Itali për veprën penale të “shitjes së narkotikëve”. Por gjatë seancës dëgjimore, ish-gjyqtari ishte justifikuar se ishin rritur bashkë në të njëjtën lagje, dhe që nga ajo kohë nuk kishin pasur më kontakte. Megjithatë asnjë nga pretendimet e tij nuk u mor parasysh nga trupa gjykuese, ndaj u vendos për shkarkimin e tij nga detyra.
Zihni Shahu
Zihni Shahu, ish-kryetar i Gjykatës së Elbasanit, dha dorëheqjen rreth 7 muaj pas nisjes së procesit të Vettingut. Më 20 korrik të vitit 2020, ai dërgoi me postë kërkesën për t’u përjashtuar nga sistemi. Por, KPK vuri në dukje se pas këtij vendimi u vendos ndërprerja e procesit të Vettingut ndaj tij dhe Komisionoi e sanksionoi që t’i ndalohej të ishte pjesë e sistemit për 15 vjet.
Pajtime Fetahu
Pajtime Fetahu ajo akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut. Ish-gjyqtarja sipas SPAK dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”. Ish-gjyqtarja e Elbasanit mjaft e përfolur Pajtime Fetahu është një nga njerëzit e Drejtësisë që akuzohet nga SPAK për korrupsion në shumën 11 mijë euro plus një monedhë flori që dyshohet se ka marrë nga Mikael Kamami dhe bashkëpunëtori i tij, Arzen Mama, djali i “Dine Çamit”. Vetë gjyqtarja Fetah, e cila thirrej me nofkën “Komshia”, nuk del në asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me anëtarët e kësaj organizate, por SPAK thotë se ka evidentuar dy raste ku Pajtime Fetahu ka marrë nga Mikael Kamami, nëpërmjet Arzen Mamës, shumën monetare prej 10 mijë euro, 1 mijë euro në rastin e dytë dhe një monedhë floriri në rastin e tretë, në shenjë dhurate për nder të lindjes së mbesës së saj, pasi Pajtimja ishte bërë gjyshe.