Me 75 vota pro, asnjë kundër dhe 40 abstenim mazhoranca miratoi dje në parim buxhetin për vitin 2025. Prezentë ishin 116 deputetë.
buxheti
Në emër të grupeve mbajtën fjalën Shpëtim Idrizi, Eduard Shalsi dhe Jorida Tabaku. Në këtë mënyrë u përmbyllën edhe debatet dhe diskutimet që vijuan prej 2 ditësh. Nga ana tjetër, opozita zhvillonte protestë jashtë ambienteve të Parlamentit për ta kundërshtuar, pasi e cilëson atë si antisocial.
Por si do shpërndahet buxheti prej 822 miliardë lekësh, i cili është ndarë në 9 grupe.
Një e treta e buxhetit është parashikuar të harxhohet për skemat sociale, nga ndihma ekonomike, skema e pensioneve, pagesa e papunësisë e deri te kompensimi i ish-pronarëve dhe të përndjekurve politik. Pjesën më të madhe të fondeve e marrin investimet dhe pagat e administratës. Kompensimi i ish-pronarëve është në total 291.9 miliardë lekë, ose rreth 3 mld euro.
Konkretisht pas aspektit social, në vend të dytë janë 161.8 miliardë lekë të planifikuara për investime publike, në infrastrukturë, digjitalizim, arsim, rindërtim dhe shëndetësi.
Kategoria e tretë që do të marrë vlerën më të madhe të buxhetit është administrata publike, ku për pagat dhe sigurimet e mbi 86 mijë punonjësve parashikohet të shpenzohen 127 miliardë lekë, pra rreth 1.2 mld euro. Shpenzimet operative ku bëjnë pjesë skema e fermerëve, mirëmbajtje e rrugëve, e sistemeve teknologjike, programet e punësimit apo mbështetja për arsimin e sportin do të marrin 71.3 miliardë lekë, rreth 710 mln euro. Për interesat e borxhit publik janë planifikuar 68.5 miliardë lekë. Më tej janë 43.1 miliardë lekë që do të shkojnë për pushtetin vendor, si dhe janë planifikuar 5.9 miliardë lekë fond rezervë për emergjenca, për zgjedhjet e përgjithshme dhe për shpenzime në kuadër të zbatimit të agjendës së planit të rritjes me BE-në.
Sa i takon ndarjes së buxhetit për institucionet, portofolin më të madh do e ketë Ministria e Shëndetësisë me 80.7 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura me 74 miliardë lekë, Ministria e Arsimit 62 miliardë lekë, Ministria e Ekonomisë KulturësInovacionit 56 miliardë lekë dhe Ministria e Mbrojtjes 52.6 miliardë lekë.
Më herët gjatë diskutimeve për projektbuxhetin pati tensione në kuvend. Në një moment teksa deputeti demokrat Asllan Dogjani gjatë fjalës së tij përmendi vrasjen e nxënësit 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, pas përfundimit të mësimit, Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD-së, iu drejtua me tone të larta socialistëve “a keni ndjeshmëri ju apo jo…”. Bardhi iu drejtua në veçanti me tone të larta anëtarëve të Qeverisë.
“A ke shpirt”, i drejtohet Bardhi, zv.kryeministres Balluku, e cila qëndronte pas foltores së Kuvendit, atje ku deputeti Dogjani po mbante fjalën. Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, në fjalën e saj në Kuvend tha se projektbuxheti i vitit 2025 është burim zhvillimi për një ekonomi më të fortë. Spiropali theksoi se ky projektbuxhet garanton rritjen e pagave për sektorin shtetëror dhe mbështet sektorin privat.
“Buxheti është burim zhvillimi për një ekonomi më të fortë. Buxheti garanton rritjen e pagave në sektorin shtetëror dhe mbështet sektorin privat, që të ketë mundësi për rritje pagash për punonjësit. Pensionet rriten nga fondi i pensioneve. Buxheti 2025 synon që të rritet ky fond. Ne nuk kemi harruar mbështetjen për pensionistët që nuk kanë derdhur kontribute, që meritojnë të kenë mbështetje nga shteti shqiptar. Projektbuxheti mbështet komunitetet lokale. Ky është një buxhet real, që mbështetet në mundësitë që ka vendi dhe ekonomia jonë në këtë fazë. Shpreh falënderimin për të gjithë deputetët, por edhe ekspertët që dhanë kontribut për të përmirësuar projektbuxhetin e vitit 2025”, tha Spiropali.
BUXHETI PËR INSTITUCIONET PËR VITIN 2025
Ministria e Shëndetësisë 80,7 mld lekë
Ministria e Infrastrukturës 74 mld lekë
Ministria e Arsimit 62 mld lekë
Ministria e Ekonomisë 56 mld lekë
Ministria e Mbrojtjes 52,6 mld lekë
Ministria e Brendshme 31 mld lekë
Fondi i Zhvillimit Shqiptar 22,5 mld lekë
Institucione të tjera Qeveritare 15,9 mld lekë
Ministria e Bujqësisë 14,6 mld lekë
Ministria e Drejtësisë 14,3 mld lekë
Ministria e Financave 11 mld lekë
Këshilli i Lartë Gjyqësor 5,6 mld lekë
Ministria e Turizmit 3,9 mld lekë
Ministria e Jashtme 3,8 mld lekë
Prokuroria e Përgjithshme 3,3 mld lekë
SHISH 2,7 mld lekë
SPAK 2,1 mld lekë
Kuvendi 1,8 mld lekë
Instituti Statistikës 962,1 mln lekë
Kryeministria 912,9 mln lekë
RTSH 770 mln lekë
Kontrolli Larte i Shtetit 684 mln lekë
Presidenca 643,9 mln lekë
Institucionet e drejtësisë 605,3 mln lekë
Akademia e Shkencës 549,6 mln lekë
Shkolla e Magjistraturës 485,5 mln lekë
Drejtoria e Arkivave 418,2 mln lekë
Partitë Politike 355,8 mln lekë
KQZ 342,1 mln lekë
ILDKPKI 297,6 mln lekë
Gjykata Kushtetuese 250 mln lekë
Këshilli I Lartë I Prokurorisë 211,5 mln lekë
Avokati i Popullit 196,9 mln lekë
Qendra e Kinematografisë 165,8 mln lekë
Komisioneri informimit 161,7 mln lekë
AIDSSH 160,2 mln lekë
Shoqëria Civile 135,6 mln lekë
Autoriteti i Konkurrencës 124,2 mln lekë
KPP 110,8 mln lekë
KMSHC 98,3 mln lekë
ATSH 93,4 mln lekë
KMD 73,8 mln lekë
ISKK 58,8 mln lekë
Këshilli i Kontabilitetit 18,5 mln lekë