Parku tematik Retro Bulqizë 2024, është projekti inovativ turistik që do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për vizitorët dhe turistët gjithnjë e më të shumtë në veri të vendit, e në mënyrë të veçantë të qarkut Dibër, ku rruga e Arbrit ka sjellë një ndryshim të madh në shumë drejtime.
Projekti rivitalizon ndër të tjera një zonë minerare, duke ndërtuar aty një aset tjetër turistik, Divizionin, i cili do të kthehet në një nga nuklat më të rëndësishme të turizmit. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale projektin inovativ të qendrës turistike retro “Divizioni”, në Bulqizë.
Rama shprehet se kjo qendër do jetë shëmbëlltyrë e re e transformimit të turizmit shqiptar.
Kjo zonë ushtarake, pritet të transformohet kthehet në destinacion turistik në Bulqizë, zonë nga ku, sipas kreut të qeverisë, deri para disa vitesh vinin vetëm lajme vdekjesh e plagosjesh të minatorëve të keqpaguar apo pamje fëmijësh e grash me trasta kromi në kurriz për të mbijetuar.
“Ky park do të jetë një motor i ri ekonomie për Bulqizën, e cila është identifikuar historikisht me minierat dhe më pas është bërë shëmbëlltyra e sakrificës dhe e vuajtjeve për shkak të gjithë historive të vështira të tranzicionit që tashmë e kemi lënë pas. Tanimë ka ardhur koha që ky identifikim i Bulqizës me vetëm minierat dhe vetëm kromin, me vetëm sakrificën e atyre që për arsye apo për një tjetër kanë qëndruar këtu, do të diversifikohet në një identifikim edhe me mrekullitë e natyrës këtu rrotull” – u shpreh dje kryeministri Rama.
“Divizioni” do të jetë një destinacion turistik mikpritjeje, me treg turistik prodhimesh të zonës, hoteleri dhe shërbime, për ata që do të duan të ndalen kalimthi, apo të qëndrojnë më gjatë në eksplorimin e natyrës së kësaj zone.