Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste u takua sot me shqiptarët në Selanik. Rama ka ndarë disa nga momentet e këtij aktiviteti, përmes një albumi fotografish në rrjetet sociale.
“Fotoalbumi i një dite kuqezi në Selanik”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Rama u shpreh se për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, shqiptarët e diasporës kanë të drejtë vote.
Sipas tij, “shqiptarët që jetojnë në Greqi nuk kanë pse udhëtojnë drejt Shqipërisë, për të qenë në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve”.
“Kjo është ditë e veçantë për mua, se ju sot këtu nuk jeni thjesht bashkëqytetarë jashtë atdheut me një të drejtë vote në Shqipëri, që kush ka mundur, e ka ushtruar duke marrë rrugën. Sot jeni votues, që për herë të parë gëzoni të drejtën për të votuar këtu ku jeni, nga shtëpia juaj. Ju e dini që më është dashur të përpiqem gjatë bashkë me shokët e mi, për ta bërë realitet këtë premtim të dhënë kohë më parë, që s’e mbajtëm dot më parë, se ishte e pamundur pa marrë votat e palës tjetër”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi votën e tyre në zgjedhjet e pranverës së ardhshme për ta bërë Shqipërinë e 2030-ës, anëtare me të drejta të plota në BE.
“Kërkoj votën tuaj për t’i dhënë Shqipërisë të njëjtën mundësi që ju i keni dhënë familjeve tuaja, që të përfitojë nga jetesa brenda familjes europiane, për të bërë të mundur që së bashku me shqiptarët e Shqipërisë, dhe kudo, të ngremë flamurin e Ismail Qemalit në Bruksel brenda kësaj dekade”, u shpreh Rama.