Krerët më të lartë të shtetit shqiptar kanë qenë paraditen e kësaj të enjte në Vlorë, për të festuar ngritjen e Flamurit Kombëtar dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Mes tyre, ka qenë dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka zhvilluar nderime bashkë me Ramën, Begaj dhe të tjerët.
Edi Rama ka ndarë një video në llogarinë e tij në “Facebook” ku shihen momente pikante nga festimet sot në Vlorë dhe mes tyre shfaqet dhe homologu Albin Kurti.
Pavarësisht zërave dhe aludimeve në media për një marrëdhënie të ftohtë mes dy kryeministrave shqiptar, pamjet tregojnë të kundërtën. Rama dhe Kurti shihen duke qeshur në një nga kafet e Vlorës, ndërkohë që edhe gjatë nderimeve shtetërore qëndrojnë po bashkë.
Edi Rama e ka prezantuar atë me qytetarë të ndryshëm mes turmës së madhe që kishte dalë në Sheshin e Flamurit për të ndjekur nga afër festimet dhe më pas e ka ulur në qoshenë e tryezës, ku qëndron presidenti Bajram Begaj dhe të tjerë përfaqësues të dy shteteve tona.