Qeveria do të rishikojë programet e punësimit me qëllim integrimin të treg të atyre që janë të papunë.
Në dokumentin e politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027 në kuadër të instrumentit të BE, parashikohet ofrimi i programeve aktive të tregut të punës, të reja dhe të diversifikuara, që synojnë mbështetjen për punëkërkuesit që përfitojnë ndihmë ekonomike, punëkërkuesit e papunë afatgjatë dhe punëkërkuesit e papunë afatgjatë me arsim bazë/pa arsim paraprak deri në Qershor 2025.
Nga kjo politikë synohet rritja e numrit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në programet aktive të tregut të punës në 8% deri në qershor 2026.
Po ashtu parashikohet rritja e numrit të regjistrimit të punëkërkuesve në zyrat e punësimit në 60% të totalit të të papunëve si dhe rritja e numrit të punëkërkuesve të papunë në formimin profesional në 20% të totalit të punëkërkuesve të papunë deri në dhjetor 2026.
Duke ofruar mbështetje të diversifikuar të përshtatur për nevojat e këtyre grupeve, politika synon të rrisë punësueshmërinë e tyre dhe shanset për të gjetur punësim të qëndrueshëm.
Gjatë vitit 2023, numri i përgjithshëm i punëkërkuesve ishte 76.580, nga të cilët 41.533 ishin gra, 26.909 merrnin ndihmë ekonomike, 6.870 ishin romë dhe egjiptianë dhe 1.607 ishin persona me aftësi të kufizuara.
Numri i punëkërkuesve të papunë që përfituan nga Programet Aktive të Tregut të Punës gjatë vitit 2023 arrin në 10.017 individë, nga të cilët 2.635 kanë përfituar nga programet e nxitjes së punësimit dhe 7.382 nga kurset e formimit profesional. /Scan