Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit mori pjesë në dialogun e nivelit të lartë për Inteligjencën Artificiale për mbrojtjen kibernetike dhe sigurinë kibernetike, të organizuar në tri ditët e fundit të tetorit për në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm ekspertë dhe përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s.

Znj.Linda Karçanaj, e cila mban detyrën e Koordinatores Kombëtare të Shqipërisë në bordin e NATO-s për të Dhënat dhe Inteligjencën Artificiale ishte pjesë e takimit të panelit mbi përdorimin e modeleve “Generative AI’, si dhe ndau përvojën e deritanishme të Shqipërisë gjatë takimit të DARB me zyrtarë të lartë.

“Duke përqafuar potencialin e “Generative AI’, perspektiva jonë ka ndryshuar ndjeshëm. GenAI po riformulon strategjinë tonë, duke na shtyrë të përqendrohemi në aplikacione novatore, me në qendër qytetarin, që më parë ishin të paarritshme.Zbatimi i politikave që promovojnë transparencën në proceset e vendimmarrjes së AI është thelbësor për ndërtimin e besimit mes shtetit dhe qytetarëve”, u shpreh Karçanaj. Zhvillimi i kornizave ligjore, gjithashtu është i nevojshëm, – vijoi Karçanaj, – për të qeverisur përdorimet e lejuara të GenAI në mbrojtje kibernetike . Shqipëria, aktualisht, po shënon hapa konkretë në drejtim të zbatimit të këtyre modeleve.

Të suksesshëm, e cilësoi Karçanaj përdorimin e Inteligjencës Artificiale në procesin e përafrimit të legjislaturës, me direktivat dhe rregullat e BE-së, për asistim në përkthimin dhe procedura për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ndërkohë që paralelisht po integrohet Inteligjenca Artificiale në sistemin e prokurimit, me qëllim rritjen e transparencës. Konkretisht, AI do të automatizojë procese të rëndësishme dhe do të ofrojë transparencë maksimale në procedurat tenderuese.

Znj. Karçanaj gjithashtu nënvizoi miratimin e metodologjisë së Inteligjencës Artificiale nga Këshilli i Ministrave, e cila bazohet në parimet e OECD dhe Aktit të BE-së për AI. Kjo metodologji synon të promovojë besimin dhe pajtueshmërinë për të gjitha subjektet që zhvillojnë sisteme të tilla në Shqipëri. Një tjetër projekt i rëndësishëm është asistenti virtual i platformës e-Albania, që së shpejti do të vijë në format të përmirësuar, i cili jo vetëm thjeshton ndërveprimin e qytetarëve me administratën publike, por gjithashtu zvogëlon ngarkesën e punës për stafin administrativ duke automatizuar pyetjet rutinë. Brenda një viti, pritet që rreth 1 milion pyetje të përdoruesve të platformës e-Albania të marrin përgjigje në kohë reale, duke ofruar kështu një sportel të vetëm virtual për shërbimet elektronike që ofrojnë institucionet publike.

Këto projekte dhe nisma dëshmojnë angazhimin e Shqipërisë për të përmirësuar shërbimet publike dhe forcimin e mbrojtjes kibernetike përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale. Znj. Karçanaj theksoi se përpjekjet janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të siguruar që Shqipëria të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të kontribuojë në zhvillimin e një ambienti më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për qytetarët e saj. Pjesëmarrja e Shqipërisë në dialogun e nivelit të lartë në Uashington është një hap i rëndësishëm për vendin tonë, duke shfaqur përkushtimin për të qenë një aktor aktiv në sfidat globale të mbrojtjes kibernetike dhe zhvillimit të Inteligjencës Artificiale.