Vëllimi poetik “Shi me Baltë” i Mero Bazes tejkalon meditimin personal të autorit për të na dhënë një pasqyrë të realitetit kompleks të shoqërisë shqiptare në tri dekadat e fundit. Në një peizazh letrar që shpesh luhatet mes romantizmit të shkëputur nga realiteti dhe përfaqësimeve vulgare, kjo përmbledhje spikat për qasjen e saj të ekuilibruar.

Poezia e Bazes arrin të ndërthurë një dimension personal dhe universal, duke ofruar një portret të sinqertë dhe të thelluar të ekzistencës njerëzore. Kjo ndjeshmëri intime e dallon “Shi me Baltë” si një kontribut të vyer në letërsinë bashkëkohore shqiptare, duke refuzuar si romantizmin e tepruar, ashtu edhe vulgaritetin banal.

Përmbledhja përfshin poezi të shkruara në periudha të ndryshme të jetës së autorit, ku, përmes një lenteje tejet personale dhe intime, pasqyrohen me sinqeritet therës edhe tri dekadat e fundit, gjatë të cilave Shqipëria ka përjetuar transformime të thella sociale, politike dhe kulturore. Nga trazirat e viteve ’90, të shënuara nga rënia e komunizmit, deri te aspiratat dhe zhgënjimet e epokës demokratike, këto poezi ofrojnë një pamje të afërt të gjendjes njerëzore në lëvizje të vazhdueshme.

Por, ajo që e bën “Shi me Baltë” të veçantë është shmangia nga meditimet e zakonshme mbi këto ndryshime shoqërore, si dhe aftësia për t’u distancuar nga moralizmi apo pedantizmi. Përkundrazi, poezitë janë thellësisht të ankoruara tek personalja—të mbështetura në përvoja jetësore autentike, kujtime të fragmentuara dhe imazhe të gjalla që krijojnë një lidhje të natyrshme me lexuesin. Edhe pse përjetimet që kanë frymëzuar këto poezi janë vetjake, ato rezonojnë universalisht, pasi çdo lexues mund të gjejë një pjesë të vetes në to. Madje, ditët e fundit, edhe të afërm që nuk e mendoja kurrë se lexonin (aq më tepër poezi), e kanë lexuar këtë përmbledhje. Kjo dëshmon fuqinë e këtyre vargjeve për të kapur vëmendjen dhe emocionet e kujtdo, pavarësisht nga zakonet e tyre letrare.

Përdorimi i formës më intime letrare—poezisë—i jep veprës një shtresë të shtuar sinqeriteti. Ndërsa proza dhe filmi shpesh mbështeten te personazhet dhe narrativat për të eksploruar çështje sociale, “Shi me baltë” heq dorë nga ndërmjetësimet. Ai tërheq lexuesin në një hapësirë gati rrëfyese, ku përplasen bashkë personalja me kolektiven. Rezultati është një vëllim poetik, i cili jo vetëm evokon ndjesi, por sjell edhe freskinë një krijimi letrar shpesh të papërballueshëm në sinqeritetin e tij.

Të lexosh “Shi me baltë” është si të hysh në kujtimet e dikujt; çdo poezi ngjan me një pikë shiu në rrebeshin e baltosur të jetës. Por, këtu shiu nuk pastron, nuk purifikon. Ai reflekton ashpërsinë e realitetit—të vërtetën e jetës dhe të shoqërisë shqiptare përgjatë tre dekadave, në mënyrë të papërpunuar, të pazbukuruar, ashtu siç është, jo ashtu siç do të dëshironim të ishte.

Në një kohë kur arti shqiptar shpesh duket i shkëputur nga jeta, kjo përmbledhje poezish spikat si një dritë origjinaliteti. “Shi me baltë” na kujton se shprehjet më personale rezonojnë më thellë, jo duke kërkuar të ndërmjetësojnë ose zbukurojnë, por duke guxuar të reflektojnë jetën ashtu siç është—me gjithë baltën e saj.