Nga Ornela Çuçi/
Përgjatë gjithë ditës dje, kam ndjerë të fortë shumë dëshirën të iki nga sytë këmbët nga ky vend. Për herë të parë që kur jam rikthyer, dje kam dashur të mos I mbaj më asnjë sekondë fëmijët e mi në këtë vend.
Dje, Shqipëria u zgjua me një tjetër lajm tragjik. Një djalë 14-vjeçar humbi jetën në një sherr brenda një shkolle, viktimë e një konflikti të nisur në rrjetet sociale.
Ky ishte lajmi. Por në fakt do të duhet të ishtë një sokëllimë: dje, Shqipëria pa se çfarë ndodh çdo ditë në shkollat tona. Pa se si ne, nënat që kemi djem jemi çdo ditë të llahtarisura se si po na vjen fëmija edhe sot. Pa se si ne mund të bëjmë maksimumin që të rrisim mirë, edukojmë e shkollojmë fëmijët tanë dhe i nxjerrim cdo ditë në një shoqëri e cila e ka ngritur ANTINJERIUN në KULT!
Dhe jo, nuk e kanë fajin fëmijët! Ai që e kreu këtë makabritet është gjithashtu një fëmijë. Fëmijë që e mbrujtëm ne si shoqëri.
Ne të gjithë që ju krijojmë idenë çdo ditë që paraja e fituar lehtë është vlerë.
Ne që i rrisim në familje me idenë që je goxha burrë vetëm nëse qëndron sa më pak në familje e sa më shumë në qejfet e tua.
Ne të gjithë që tregojmë se një “i fortë” ka nën hyqëm 100 “të shkolluar”.
Ne që i ushqejmë me dëshirën për tu bërë drejtor ditën e parë të punës, e kur të bëhesh drejtor do të mund ta mbash atë pozicion nëse promovon nëpër fushata elektorale modelet që do tu ngjajnë këta fëmijë, fëmijët tanë.
Po ne që në television i krijojmë kaq shumë mundësi këtyre përputhshmërizmave e jua bëjmë trurin çorbë me modele klevinjosh…
Sepse po, është kjo shoqëri, kjo e jona që, në një mënyrë apo tjetër, ka ndihmuar në krijimin e kushteve për tragjedi të tilla.
Kur kultura ushqen dhunën
Pse ndodhin këto në Shqipëri? Sepse jetojmë në një vend ku dhuna nuk dënohet, por shpeshherë ajo glorifikohet. Kur djemtë e mi filluan adoleshencën fillova të mësoj këngët që i zgjonin në mëngjes. I di kaq shumë këngë të tyre si psh:
Une, une i kam dy hekra mrena cantes.
Per me la hesapet e mesnates.
Per, per me dal makinat jane the fastest.
Ti ma njeh ekipin ëe the hardest………
Kur kuptova për herë të parë ca po këndoja e vetmja gjë që më erdhi ndërmend ishte: O hapu o dhe!!!!!!
Por këta jemi ne, të gjithë, një shoqëri ku këngët që promovojnë larje hesapesh, armët dhe “burrërinë” e këtij lloji, janë jo vetëm të pranueshme, por edhe të adhurueshme. Ku fushatat elektorale ftojnë këngëtarë që flasin për urrejtjen dhe hakmarrjen si virtyte, duke i kthyer ato në simbole të suksesit.
Kur shembujt që shohin fëmijët tanë janë këngë e klipe ku konflikti zgjidhet me grushte e plumba, çfarë mund të presim? Kur figurat publike i përdorin ato për të mbledhur turma, pa menduar për mesazhin që përcillet, si mund të presim që të rinjtë tanë të mësojnë vlerën e dialogut dhe pajtimit? E kemi krijuar ne këtë atmosferë, ku një zënkë në rrjetet sociale është më shumë se një keqkuptim – ajo është një pasqyrim i tensioneve të pashprehura që ne, si shoqëri, nuk i kemi adresuar kurrë. Këto tensione janë si plagë të hapura që dalin në sipërfaqe aty ku duhet të kishte paqe: në shkolla, në sheshe lojërash, në biseda mes miqsh.
Po shkolla? Ku qëndron shkolla?
E ku të qëndrojë shkolla, kur sado t’i rrisësh rrogën zyshave, nuk ia rrit dot mesataren e shkollës 9-vjeçare asnjë qeveri tani më. Sepse po, në mësuesi kanë shkuar përgjatë 30 viteve të fundit shumica nxënës që e kanë pas të vështirë shumë shkollën e mesme në fakt (pa i përgjithësuar plotësisht, por ky është realiteti i shumicës). Sepse po, universitetet e rretheve që kanë pas në focus mësuesinë, të gjithë e dimë se si kanë funksionuar si miniera për stafin e tyre.
A ndryshon tani ky realitet që rroga e një mësuesi është pothuaj e barabartë me atë të pedagogut të tij me 20 vjet shkollim brenda e jashtë vendit?
Shkollat tona nuk e kanë aspak fokusin në formimin e individit, sepse të gjesh një vend si mësues në një shkollë afër qendrës, do të duhet të kesh edhe kontribut partiak, jo vetëm professional. E nëse nuk e ke te plotë aftësinë profesionale, nuk përbën problem. Ke mikun e fortë. Sepse të fortët e të gjitha niveleve janë faktor në këtë shoqëri.
A mund të presim fëmijë paqësorë kur rreth tyre të gjitha modelet promovojnë të kundërtën? Kur kush çirret më shumë poshtë dritares, merr më shumë vlerësimin e liderit? Kur mediat japin hapësirë për të lavdëruar ata që kanë “zgjidhur konfliktet” me armë? Kur sukseset shihen si rezultat i arrogancës dhe jo i punës? Kjo tragjedi nuk ndodhi vetëm nga një fjalë e nxituar mes dy fëmijëve. Ajo është produkt i një shoqërie ku dhuna është normalizuar dhe ku vlera shihet si dobësi.
Nevoja për një zgjim kombëtar
Nëse ky vend do të ketë një të ardhme, atëherë duhet të ndalemi këtu. Kjo humbje e një jete të pafajshme duhet të na zgjojë. Duhet të shohim më thellë dhe të pranojmë përgjegjësinë tonë kolektive. Nuk është vetëm faj i shkollës që nuk ndërhyri, as i familjeve që nuk e parashikuan këtë konflikt. Është faji i një kulture që nuk vlerëson jetën e njeriut, që ushqen dhunën si një mënyrë për të fituar respekt.
E vramë të gjithë ne atë fëmijë në atë shkollë. Edhe fëmijës tjetër, që përdori thikën, ia shkatërruam ne jetën, të ardhmen, e vramë për së gjalli.
Ne të gjithë!