Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar akt terrorisht shpërthimin e mbrëmjes së djeshme në Zubin Potok dhe që si pasojë ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Sveçla tha se shpërthimi ishte një sulm ndaj një infrastrukture kritike në Kosovë.
“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes. Meqë rast është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar”, ka thënë Sveçla nga vendi i ngjarjes, ku ishte së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën.
“Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë, që nuk është e lehtë të gjindet në tregun e zi. Kjo patjetër që vjen nga rezervat nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, tha ai, duke shtuar se bëhet fjalë për 15 kilogramë lëndë shpërthyese të përdorur në sulm.