Nga Mero Baze

Javën e fundit PD po përpiqet sikur është dhe ajo dakord me votën e diasporës dhe ka organizuar dy takime, njërin në SHBA e tjetrin në Britani të Madhe, në salla të vogla modeste. Në të dyja takimet, Berisha ka qenë i lidhur drejtpërdrejt nga kati i tetë i pallatit në Tiranë.

Madje, për ironi të fatit, në të dy takimet Berisha është shprehur se vota e tyre është shpresë për rikthimin e PD në pushtet.

Pjesëmarrësit janë qytetarë të dy shteteve që e kanë shpallur Sali Berishën “non grata” për korrupsion madhor dhe minimin e demokracisë. Me të dyja këto shtete, Berisha ka humbur gjyqin për të hedhur poshtë ato akuza. Madje, gjyqi me Britaninë e Madhe i ka kushtuar mbi gjysmë milioni euro.

Nuk di se çfarë shprese u jep Berisha atyre qytetarëve që jetojnë në këto dy vende, por qeveritë e këtyre vendeve ia kanë prerë shpresat për të ardhur në pushtet.

Tani, kur ai thotë që ata janë shpresa që ai të vijë në pushtet, ose synon t’i nxisë ata të bëjnë “mosbindje civile” në Britani apo SHBA kundër qeverisë së vendit ku ata jetojnë e punojnë, për shkak të Sali Berishës, ose i fton të djegin letrat që kanë e të kthehen në Shqipëri për të sjellë në pushtet Sali Berishën. Pasi ata, si anglezë apo si amerikanë, nuk e ndihmojnë dot Berishën të vijë në pushtet. Mund ta ndihmojnë ose si terroristë në vendin ku jetojnë, ose si të riatdhesuar në Tiranë.

Nuk më duket se kanë ndërmend të bëjnë asnjërën prej këtyre të dyjave. Për më tepër që të dyja vendet mbajnë nën monitorim çdo bashkëpunëtor të tij, të lidhur me krimin e organizuar apo përfshirë në korrupsion. Në Britaninë e Madhe, në një listë me Berishën janë edhe drejtues të tjerë kyç të PD si Flamur Noka apo bashkëpunëtorë të Berishës nga bota e krimit dhe biznesit familjar.

Pra, këto dy takime, në të vërtetë, janë simbolikisht shpjegimi pse ata nuk e takojnë dot Berishën, as si ish-kryeministër as si kryeministër të ardhshëm, pasi ai nuk do të dalë dot më nga “arresti i shtëpisë”.

Dhe këto ditë, kur ai po përpiqet t’u japë shpresë demokratëve në Tiranë se Trump do t’i heqë “non grata”, ky takim në Londër u kujton të gjithëve se aty e shpalli “non grata” një qeveri e djathtë britanike, një Amerikë e vjetër e Sorosit, dhe se tani që është në pushtet e majta, thjesht nuk gënjen dot me atë stilin që po i gënjen për qeverinë e Trumpit. Iluzioni se një kryeministër i sanksionuar nga dy shtetet më të mëdha të Perëndimit do të mundë Perëndimin me disa emigrantë që jetojnë në këto dy shtete, thjesht mund t’u hapë telashe këtyre emigrantëve, por Berishës nuk i zgjidh asnjë hall. Thjesht i shton listën e humbjeve.