Një raport i fundit nga agjencia gjermane “Bne IntelliNews” ka nxjerrë në dritë skemat e dyshimta të biznesmenit italian Francesco Becchetti, i cili rezulton të ketë ndikuar në procesin e arbitrazhit kundër Shqipërisë. Sipas dokumenteve të zbuluara, Shqipëria ka angazhuar hetues privatë për të zbardhur detajet e kësaj skeme mashtrimi.
Në qendër të hetimit qëndron Marco Giontella, një bashkëpunëtor i ngushtë i Becchetit prej më shumë se 20 vitesh. Giontella dhe Becchetti janë takuar privatisht për të diskutuar strategjitë e tyre në qytete të ndryshme si Londra, Singapori dhe Amsterdami. Hetuesit kanë siguruar prova filmike dhe përgjime, të cilat tregojnë qartë përpjekjet e tyre për të kompromentuar procesin e arbitrazhit.
Marco Giontella, një avokat italian me aktivitet në Itali dhe themelues i firmës “Giontella e Associates,” është i njohur si një ekspert kryesor i taksave me mbi 30 vite përvojë. Marrëdhënia e tij profesionale dhe personale me Becchettin daton që nga viti 1999, kur ata punuan së bashku në pozita të larta në klubin italian të volejbollit “Piaggio Roma.”
Fotografitë e kapura më 29 maj 2024 i tregojnë Becchettin dhe Giontellën duke diskutuar pranë rezidencës së Becchettit në Londër, çka konfirmon lidhjen e ngushtë mes tyre dhe bisedimet mbi këtë plan të dyshimtë. Këto fakte ndryshojnë tërësisht çështjen e shumëpërfolur “Beccheti”, ku mesa duket vendimet në arbitrazh mund të jenë rezultat i një plani të mirëorganizuar.