Nga Neda Balluku
Të Tonit kam vetëm një kujtim të një imazhi kalimthi. Unë hap derën e shtëpisë dhe ai më buzëqesh teksa zbret shkallët që nisnin dy hapa nga dera e shtëpisë sime. Toni kthen kokën dhe më buzëqesh. Ose edhe jo.
Mbase e kam krijuar buzëqeshjen e tij në mendje sepse vëllezërit e tij, me të cilët jam rritur, kanë buzëqeshje identike dhe kërkimi në mendjen time për të patur një imazh, i vesh buzëqeshjen e tyre.
Toni është ëngjëll i Parajsës prej më shumë se 25 vitesh. E vranë në oborrin e shkollës, vetëm 16 vjeç, me thikë në trup. Njësoj si fëmijën e sotëm vetëm 14 vjeç.
Toni ka mbetur plagë e përjetshme e familjes së tij, komshinjve të mi të dashur dhe kujtim i dhimbshëm i pallatit tonë. Një pallat që rriti brez pas brezi fëmijë si motra e vëllezër me njëri- tjetrin.
Nëse vendin tonë do ta gjykonim nga format dhe dinamikat e krimit, Shqipëria mbetet e njëjta prej më shumë se 25 vitesh. Dhe kjo do të thotë, që prodhon breza (fëmijë, adoleshentë, të rritur) identikë prej 25 vitesh që do të thotë që nuk ditën, nuk po dimë dhe nuk do të dimë të ndryshojmë.
Të vrasësh me thikë është më shumë se vrasje me paramendim. Është të nisësh ditën duke shpresuar në shansin për ta përdorur.
Është të shtrihesh natën duke ëndërruar për mënyrën se si do ta përdorësh. Kur në fakt duhej të ishe duke ëndërruar për vajzën që të pëlqen, me shpresën që të nesërmen mamit e babit tu rrëmbesh ca të holla për një akullore apo coca cola me të.
Sot Toni gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nxënësi katërmbëdhjetë vjeç i shkollës “Fan Noli” takohen në Parajsë. Njëzet e pesë vite nga njëri tjetri. Sepse Shqipëria të vret njësoj.
Ngushëllime familjes!