Siç edhe pritej, fitorja është pritur me festë në kampin e republikanëve! Por një skenë krejt tjetër është në kampin e Kamala Harris, e cila është e vendosur në Uashington DC. Në rast fitoreje, por edhe humbjeje, ajo pritej që të fliste para turmës së mbledhur në Universitetin Hoëard. Por stafi i saj lajmëroi se sot nuk do të kishte asnjë fjalim.

Kur iu “shuan” shpresat për të pritur demokraten, të mbledhurit u kthyen në shtëpi duke lënë pas në shesh karrige bosh dhe flamuj të braktisur. Mediat e huaja kanë kapur edhe shumë mbështetës me lot në sy, të cilët janë të prekur nga humbja e Harris.

“Sky News” e përshkroi atmosferën në selinë e Harris si “si një funeral”, ndërsa AP raportoi se gjendja shpirtërore në selinë e fushatës së Harris u kthye nga euforike në ankth brenda natës pasi rezultatet e zgjedhjeve nuk ishin ashtu siç u parashikuan për demokratët.

Amerika votoi! Tek Republikanët ka nisur festa. Deri tani Trump ka siguruar 266 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president. Kamala Harris ka marrë 219 vota elektorale. Pavarësisht se numërimi nuk ka përfunduar, Fox Neës ka projektuar se Trump fiton me 277 vota elektorale.