Nga Namir Lapardhaja
Nga goditjet që po i jep SPAK pushtetit në të gjithë segmentet e tij dhe nga çmontimi i lidhjeve të botës së krimit me qeverisjen, në çdo vend të botës do të përfitonte opozita.
Por ky nuk është rasti shqiptar.
Një opozitë që nuk diti të reformohet, të ndahet nga e shkuara, të krijonte një narrativë të re, të kishte një qasje ndryshe ndaj problemeve të qytetarëve, larg arkaizmave dhe gjuhës linçuese e polarizuese të së kaluarës, nuk mund të përfitojë sikur edhe e gjithë qeveria të futet në burg dhe vendi të mbesë pa qeverisje.
Nuk mund të përfitojë, sepse të gjitha goditjet e Prokurorisë së Posaçme ndaj mazhorancës i sheh me frikën se kush prej opozitës do ta ketë radhën pas tyre.
Ndaj edhe sot aleanca ANTI SPAK është përtej ndasive dhe ngjyresave partiake.
Por SPAK nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë një segment i politikës që godet disa për të përfituar disa të tjerë. Deri më sot nuk e ka bërë. Madje, është naive ta mendosh se nga goditjet që marrin parti të caktuara politike, mund të përfitojnë drejtpërdrejt grupacione të tjera.
Kontributi i Prokurorisë së Posaçme duhet parë në spastrimin e ‘fushës së lojës’ politike dhe në ofrimin e kushteve të barabarta për të gjithë, gjë që nuk ka qenë e mundur deri më sot. Pastaj, ngelet në aftësinë e partive politike apo forcave të reja për të qenë bindëse dhe për t’u ofruar qytetarëve një alternativë.
Një gjë të tillë do duhej ta bënin qytetarët nëpërmjet votës, pa mekanizma të tillë dhe pa ndërhyrjen e drejtësisë, mirëpo për sa kohë që në Shqipëri nuk ishte e mundur një gjë të tillë, ky kontribut i SPAK-ut duhet parë në prizmin e një perspektive të vyer që shqiptarët të mos kenë as frikën e bandave as frikën e bukës së gojës kur të venë te kutia e votimit.
Ata mund të votojnë për kë të duan dhe të mbajnë mbi kurriz përgjegjësinë e votës së tyre , por një gjë të tillë ta bëjnë të patrysnuar.