Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se, në ligjin e buxhetit jetësohet vizioni i qartë për rrugën që do të ndjekë Shqipëria vitin e ardhshëm.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve për shqyrtimin e buxhetit dhe veprimtarisë së komisioneve parlamentare dhe konsultimin parlamentar me publikun, Spiropali u shpreh se këto janë ditë të rëndësishme për Kuvendin dhe vendin.
Ajo ndau me publikun disa tregues të veprimtarisë intensive të komisioneve të përhershme dhe të posaçme dhe rëndësinë e konsultimit parlamentar me qytetarët, publikun, ekspertët, grupet e interesit dhe median.
“Për të diskutuar si duhet të bashkëpunojmë më mirë për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë, më të begatë, më të drejtë dhe për të arritur objektivin tonë strategjik kombëtar për Shqipërinë në BE në 2030”, tha Spiropali.
Kryeparlamentarja theksoi se, ligji i buxhetit të vitit 2025 nuk është thjesht një ligj financiar.
“Në të jetësohet vizioni ynë i qartë për rrugën që do të ndjekë Shqipëria vitin e ardhshëm, cilat do të jenë prioritetet tona, ku do të përqendrojmë investimet publike, si do të përdoren burimet kombëtare financiare e njerëzore, për të përmirësuar mirëqenien e çdo komuniteti, çdo familjeje, çdo qytetari”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se, “buxheti është hartuar, do të shqyrtohet e do të miratohet nëpërmjet një procesi të hapur, transparent e gjithëpërfshirës, me kontributin e të gjithë aktorëve politikë e shoqërorë”.
Në këtë kontekst, ajo përgëzoi angazhimin e çdo deputeti të shumicës apo pakicës në Kuvend, për të marrë pjesë, diskutuar, kritikuar e përmirësuar projektbuxhetin.
“Askund më mirë dhe më shumë se sa në Kuvend dhe debatin parlamentar, deputetët nuk mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre, nuk mund të diskutojnë, pse jo edhe të kundërshtojnë njeri-tjetrin, dhe të vendosim bashkërisht për të mirën e qytetarëve, sipas përgjegjësive që na ka ngarkuar sovrani”, tha Spiropali.
Kryeparlamentarja shtoi se, buxheti i vitit 2025 garanton trendin pozitiv të rritjes ekonomike të qëndrueshme në nivelin 3.9 për qind, rritjen e të ardhurave buxhetore e të ardhurave tatimore dhe uljen e borxhit publik.
“Treguesit e parashikuar garantojnë zhvillimin e rritje, por edhe përkthimin e këtyre treguesve në mirëqenie për qytetarët.
Do të rriten financimet nga buxheti i shtetit për të gjithë sektorët: arsimin, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë, infrastrukturën dhe energjinë etj.
Buxheti do të garantojë rritjen e nivelit të pagave e të gjithë punonjësve të administratës vendore dhe do të mbështesë sektorin privat për garantimin e rritjes së pagave e përfitimeve edhe për punonjësit e sektorit privat”, tha më tej ajo.
Përveç mbështetjes së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve publike, nënvizoi Spiropali, “buxheti parashikon burimet e nevojshme financiare për shpenzimet sociale për të garantuar mbështetjen e grupeve më në nevojë të popullsisë, rritjen e Fondit të Sigurimeve Shoqërore për garantimin e rritjes së pensioneve, rritjen e Fondit për Sigurimet e Kujdesit Shëndetësor, të Fondit të Kompensimit të Pronarëve, pagesës së papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, përfitimeve për invalidët e punës, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve”.
Sipas saj, rritja e ndjeshme e burimeve financiare për pushtetin vendor do të përkthehet në më shumë mbështetje e kujdes për komunitetet lokale.
Për vitin e ardhshëm, theksoi kryeparlametarja “buxheti i shtetit do të mbështetet edhe nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe kohezionin ekonomik e social të vendit tonë me vendet e Bashkimit Europian”.
“Konsultimi i gjerë për diskutimin e projektbuxhetit po e ndihmon Kuvendin të miratojë një buxhet që pasqyron më mirë interesat e qytetarëve.
Projekti i buxhetit po kalon në një shqyrtim të hollësishëm në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, si edhe në gjithë komisionet e përhershme të Kuvendit, ku janë thirrur gjithashtu për të paraqitur nevojat e tyre drejtuesit e të gjitha institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj.
Çdo mbledhje e dëgjesë në komisione, çdo analizë e thellë dhe e detajuar e shpenzimeve dhe alokimeve, është një vlerë e shtuar në procesin e hartimit të projektbuxhetit.
Dëgjesat publike me ekspertë ndihmojnë që buxheti t’u përgjigjet nevojave të shoqërisë sonë. Kjo është një mundësi më shumë për të përfshirë zërin e qytetarëve, të biznesit dhe të shoqërisë civile.
Debatet dhe ndryshimet e propozuara nga deputetët janë gjithashtu një vlerë e shtuar e procesit sepse reflektojnë shqetësimet e ngritura nga qytetarët”, tha Spiropali.
Ajo u shpreh se, Kuvendi ka zhvilluar deri tani 23 mbledhje e dëgjesa për shqyrtimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2025, dhe në vijim janë parashikuar edhe 36 mbledhje të tjera.
“Rritja e transparencës dhe përfshirja në vendimmarrje janë thelbësore për të fituar besimin tuaj dhe për të siguruar që fondet publike të përdoren në mënyrë efektive dhe për mirëqenien tuaj”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.
Prandaj, Spiropali ftoi qytetarët të vazhdojnë të jenë pjesë aktive e procesit të shqyrtimit të projektbuxhetit.
“Informohuni mbi treguesit e buxhetit, ndryshimet e propozuara dhe angazhohuni për çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tuaj. Vetëm me një dialog e bashkëpunim të hapur e të ndershëm do t’ia arrijmë që buxheti i vitit 2025 të përmbushë pritshmëritë dhe nevojat tuaja.
Buxheti nuk është i Qeverisë dhe i Kuvendit, është buxheti për qytetarët”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi të gjithë ekspertët, organizatat e shoqërisë civile, grupet e interesit, institucionet e pavarura, deputetët dhe punonjësit publikë, që kanë punuar me përkushtim për të përgatitur këtë buxhet dhe për të mbështetur procesin e shqyrtimit dhe debatit në Kuvend.
Spiropali gjithashtu foli edhe për mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare dhe Raportin e Progresit 2024, të cilët theksoi ajo, “shënuan një hap të madh përpara drejt realizimit të objektivit tonë strategjik kombëtar për Shqipërinë në BE në vitin 2023”.
“Këtë garanci më shprehu edhe Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, gjatë takimit shumë të dobishëm që patëm në Bruksel më 6 nëntor.
Kuvendi ka filluar nga puna për hartimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit 2024”, tha Spiropali, e cila u bëri thirrje të gjithëve deputetë, të komisioneve të përhershme e të posaçme, punonjësve të shërbimeve parlamentare, të angazhohen maksimalisht në përmbushje të detyrave për prioritetin numër një të Kuvendit: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Spiropali u shpreh se, edhe pak javë kanë mbetur nga mbyllja e këtij sesioni parlamentar.
“Kjo është një periudhë pune intensive, ku përveç komisioneve të përhershme parlamentare që janë angazhuar në shqyrtimin e projektbuxhetit dhe projektakteve të tjera ligjore, tre komisionet e posaçme po punojnë intensivisht për përmbushjen e objektivave të tyre”, theksoi ajo.
“Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” ka planifikuar të zhvilloje 12 tryeza tematike publike, nga të cilat ka zhvilluar dy deri tani.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike të Shqipërisë” ka zhvilluar seanca dëgjimore me 12 institucione dhe parashikon edhe zhvillimin edhe të 5 seancave te tjera.
Komisioni hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up ka planifikuar të vijojë me dëgjesat me dëshmitarë edhe në datat 11, 12 dhe 13 nëntor”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit shprehu besimin se veprimtaria e komisioneve të posaçme do të jetë një kontribut i Kuvendit për avancimin e reformave demokratizuese e integruese dhe garantimin e pakthyeshmërisë së tyre.