Me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, sot zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Gjatë takimit Spiropali nënvizoi se vizita në Tiranë e Kryetarit të Kuvendit të RVM, e cila zhvillohet pak kohë pas vizitës në Shkup të Kryetares Spiropali, dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe intensiv mes dy Kuvendeve.

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të sigurt në rajon.

Shqipëria synon që të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në 2030 dhe kjo datë është një objektiv ambicioz, por i realizueshëm. Ky moment pozitiv për Shqipërinë duhet parë me pozitivitet nga i gjithë rajoni.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian është një proces i bazuar në merita, zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve të BE-së dhe jo nga faktorë a rrethana të tjera.

Çështjet bilaterale mes vendeve kandidate dhe anëtare të BE-së nuk duhet të bëhen pengesë në procesin e anëtarësimit.