Reagimi i KLP:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim reagimet dhe deklaratat e fundit që janë bërë kundrejt sistemit të prokurorisë. KLP rithekson angazhimin e plotë për të qëndruar pranë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, të cilët çdo ditë ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushte sfiduese.
Përpjekjet për të ndikuar ose frikësuar institucionet e drejtësisë, sidomos ato në vijën e parë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, janë sulme ndaj parimeve themelore të integritetit dhe drejtësisë, që mbështesin zbatimin e ligjit në vend. Reforma në drejtësi dhe zbatimi i ligjit janë kriteret kryesore që Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria për krijimin e një drejtësie të pavarur. Ndaj KLP fton median që, me punën e tyre, të mbështesin veprimtarinë e institucioneve të pavarura në rrugëtimin e tyre institucional.
KLP dënon çdo formë presioni apo intimidimi të drejtuar ndaj SPAK apo drejtuesit të tij, duke i konsideruar kërcënime serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe qëndron me vendosmëri pranë të gjithë Strukturës së Posaçme, në përkrahje të punës së prokurorëve kundër çdo sulmi apo ndërhyrjeje denigruese.
KLP shpreh të gjithë përkushtimin për t’u pozicionuar në krah të prokurorëve, duke garantuar një proces drejtësie të pavarur dhe transparent. Puna dhe integriteti i prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, janë thelbësore për ndërtimin e një sistemi që i shërben dhe mbron qytetarët e këtij vendi, pa frikë apo paragjykim. Misioni ynë i përbashkët është dhe mbetet forcimi i besimit të publikut ndaj një sistemi, i cili sapo ka dhënë frytet e para të zbatimit të reformës në drejtësi.