Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi liderin e Kremlinit, Vladimir Putin për krime të reja lufte, pas sulmit me raketa në qytetin e Dnipro me një raketë të re me rreze të mesme veprimi.

Zelensky, në fjalimin e tij në video të mbrëmjes, tha se “kur dikush fillon të përdorë vendet e tjera jo vetëm për terror, por edhe për të testuar raketat e tyre të reja përmes terrorit, ky është padyshim një krim ndërkombëtar”.

Më herët, Putin e përshkroi përdorimin e raketës me rreze të mesme veprimi si ”një provë të suksesshme në kushte lufte”.

Zelensky tha se sjellja e Rusisë është tallje me qëndrimet e Kinës dhe vendeve të Jugut Global, të cilat bëjnë thirrje për moderim.

Edhe një herë, ai bëri thirrje për një përgjigje të fortë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kremlini akuzon Kievin dhe Perëndimin për përshkallëzim dhe e sheh përdorimin e raketës së re si një përgjigje ndaj granatimeve të territorit rus me armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina.

Zelensky gjithashtu bëri një thirrje për bashkatdhetarët e tij dhe diplomatët e huaj që punojnë në Kiev.

Ai tha se Ukraina po punon për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore.

Megjithatë, çdo alarm i sulmit ajror duhet marrë seriozisht dhe duhet kërkuar mbulim në rast rreziku.

”Në të njëjtën kohë”, tha ai, ”kërcënimi i mundshëm i një sulmi raketor rus nuk duhet të përdoret si justifikim për të marrë pushim, duke iu referuar ambasadave pjesërisht të mbyllura në vend”.

“Kur bie sirena, ne shkojmë për t’u mbrojtur. Dhe kur nuk ka sirenë, ne punojmë dhe shërbejmë. Putin do të vazhdojë të frikësojë Ukrainën. Ai e ka ndërtuar gjithë fuqinë e tij mbi këtë”, theksoi ai.