Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Selanik është bërë kryefjala e disa mediave më prestigjioze në Greqi.

Duke publikuar foto dhe video nga takimi i kreut të qeverisë me shqiptarët, “Protothema” shkruan: “Ky takim është pjesë e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të mbajtur kontakte me diasporën shqiptare, për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me emigrantët, si integrimi i tyre në shoqëri dhe të drejtat e tyre në vendin pritës.

Si një “urë miqësie me Greqinë” e ka cilësuar CNN Greece, vizitën e Ramës në Selanik.

“Jashtë ndërtesës kishte persona që protestuan për praninë e Ramës. Kryeministri shqiptar i cilësoi “fantazma të së shkuarës” ndërsa shprehu keqardhjen për këto reagime që sipas tij nuk i ndihmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”, thuhet në artikull.

Nga ana tjetër, SKAI u fokusua më shumë të protesta e ultranacionalistëve grekë kundër Ramës dhe deklaratës së kryeministrit, i cili tha se “Vorioepirotët” është një term i vdekur.

“Një turmë njerëzish priti me entuziazëm kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Selanik, ku u takua me bashkatdhetarët. Ndërsa jashtë po zhvillohej një proteste”, thuhet në artikullin e SKAI.

Kjo është hera e dytë që Rama takohet me emigrantë në Greqi, ndërsa takimi i mëparshëm është zhvilluar më 12 maj në Athinë.