Të ftuar në episodin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin kanë qenë Taulant Stërmasi, Luiza Gega dhe Relaksa Dauti për të diskutuar rreth atletikës në Shqipëri.

Taulant Stërmasi është presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës dhe i pyetur se cilat janë vështirësitë që ai has për të motivuar kampionët shqiptar për të ecur gjithmonë para, ai u përgjigj: “Në fakt, sfidat janë shumë komplekse kur flasim për sportistë, kur flasim për sportistë elitarë, kur flasim për sportistë që kanë disa objektiva që janë vërtetë shumë të vështira për t’u konceptuar në ditët e sotme. Se ne duhet të jemi shumë koherentë me atë që shoqëria po kalon sot. Të arrish të kesh objektiva, të kesh stërvitje, të cilat parimisht të flasësh në Shqipëri për sport të duket sikur njerëzit dalin të vrapojnë për qejf. Ndërkohë kjo është një punë dhe ta edukosh këtë punë tek brezi i ri, apo qoftë tek grupi që stërvitet tek unë, fillimet janë pak të vështira t’i shpjegosh që ti duhet të arrish disa objektiva. Nuk është qejf. Sporti është një punë. Është një profesion.”
Për t’u ndalur tek Luiza Gega. Trup i vogël, shpejtësi e madhe për kalimin e pengesave që ndonjëherë të duket e pamundur se ajo mund t’i kalojë. Si ja del që t’i bëjë ballë këtyre sfidave?

“Unë kam filluar jo me pengesa fillimisht. 2016 ka qenë viti kur unë kalova për ta provuar si disiplinë, sepse trajneri mendonte që unë mund të jepja më shumë. Se fiziku im jep shumë më tepër kryesisht në metra të lartë, që do të thotë jam rezistente. Kam një kapacitet të mirë aerobik, që më vjen natyrshëm dhe pa shumë stërvitje kap rezultate shumë të mira në metra lart, e quajmë 3 mijë metra, 5 mijë, 10 mijë”, u shpreh Gega.