Nga 1 janari i vitit që vjen pensionistët në Tiranë do të udhëtojnë me autobus falas. Vendimi u mor sot nga Këshilli Bashkiak i Tiranës vetëm me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste. Grupi i këshilltarëve të PD-së braktisën mbledhjen pa arsye, duke mos e votuar vendimin që ndihmon pensionistët.

Ky vendim adreson nevojat e pensionistëve për transport publik falas dhe është një premtim i mbajtur nga kryebashkiaku Erion Veliaj për të mbështetur kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, duke lehtësuar sfidat ekonomike dhe sociale me të cilat ata përballen çdo ditë.

Në Tiranë, edhe studentët udhëtojnë me abone falas prej më shumë se një viti. Abonetë falas për studentët dhe pensionistët do të shpërndahen përmes platformave elektronike, siç janë Karta e Studentit dhe Karta e Pensionistit. Ky projekt synon të bëjë transportin publik më të aksesueshëm dhe të përmirësojë mundësinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.

Abonimet do të financohen plotësisht nga Bashkia e Tiranës dhe do të jenë të disponueshme për studentët e regjistruar në institucione arsimore dhe për pensionistët mbi 60 vjeç për gratë dhe mbi 65 vjeç për burrat. Numri i pensionistëve brenda territorit të Bashkisë së Tiranës është rreth 178 mijë. Bashkia e Tiranës do të monitorojë performancën e operatorëve të transportit, duke përdorur sisteme të avancuara, për të siguruar që shërbimi të ofrohet në përputhje me standardet më të larta.