Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese ka pranuar rrënjët e tij arbëreshe nga Barletta, Pulia në Itali, gjatë takimit me ambasadorin shqiptar në Canberra dhe komunitetit shqiptaro-australian. Barletta është një qytezë e vogël në jug të Italisë që shtrihet në rajonin e Pulia, ku dhe jeton një komunitat i madh i arbëreshave. Raportohet se atje jetojnë rreth 100.000 arbëreshë dhe nga ky komunitet e ka prejardhjen edhe babai i kryeministrit australian.

Prindërit u njohën gjatë një udhëtimi në Europë. Babai i tij punonte në tragetin me të cilën po udhëtonte mamaja e tij. Ishte dashuri me shikim të parë. Por fatkeqësisht babai i tij humbi jetën në një aksident, ndërsa nëna e tij ishte kthyer për të jetuar në Australi. Të paktën kjo ishte historia që dinte Anthony si fëmijë. Kjo ishte historia që dinte edhe familja e gjerë, lagjia dhe kushdo që i njihte.

Kur mbushi moshën 14-vjeçare, nëna e uli në tavolinë dhe i tregoi një histori tjetër. Babai i tij nuk kishte vdekur në aksident, ata kishin pasur një histori dashurie por ishin ndarë. Historia e bukur romantike e dy të rinjve nëpër Europë, kishte mbaruar, kur ajo kishte zbuluar se kishte mbetur shtatzënë. Aty djali arbëresh i kishte thënë se nuk mund të martoheshin bashkë, sepse ai kishte një të fejuar në fshatin e tij dhe nuk mund ta prishte fejesën. Maryanne u shokua nga përgjigjia.

Ata u ndanë dhe ajo u kthye në shtëpinë e prindërve të saj, por ishte katër muajshe shtatzënë. Familja e saj ishte një familje katolike në vitet 1960 dhe kjo përbënte skandal. Zgjidhja ishte krijimi i një historie të pavërtetë. Nëna e tij vendosi të blinte një unazë, regjistroi të birin në bashkinë lokale me mbiemrin e të dashurit dhe shpiku historinë e aksidentit.

Anthony e quajti babanë të vdekur edhe pasi e mori vesh që mund të ishte gjallë. Ai nuk kishte qenë pjesë e jetës së tij, as nuk e kishte dashur të bëhej pjesë. Vetëm pas vdekjes së nënës, në vitin 2002, ai u interesua pranë kompanisë që ishte pronare e trageteve për të zbuluar rreth të atit. Pas disa vitesh kërkimesh që përfshinë edhe regjistrat e pensionistëve italianë të punësuar në tragetet dhe anijet, arritën të gjenin emrin, adresën, madje edhe një numër telefoni të Carlo Albaneses. Ai jetonte në Barleta të Italisë dhe të gjitha të dhënat dhe data e garantonin që ishte babai i politikanit të ri, i cili në moshën 36-vjeçare ishte zgjedhur në atë kohë zv-kryeministër i një prej shteteve australiane.

Lajmi ishte emocional për të. Nuk dinte se si të vepronte. A kishte kuptim që të udhëtonte në Itali për ta takuar? Një senatore e krahut të djathtë, Amanda Vanstone ishte bërë ambasadore e Australisë në Itali dhe e dinte historinë e tij. Ajo pranoi menjëherë që ta ndihmonte.

Rastësia e deshi që një nga diplomatet e ambasadës australiane në Romë, Lisa Golden, ishte kushërirë e Carlo Albaneses nga ana e nënës. Lisa fliste italishten shumë mirë dhe ndihmoi të takoheshin Anthony Albanese planifikoi udhëtimin për Itali, ndërsa diplomatja mori përsipër të bënte bisedën e parë me të moshuarin i cili gjithashtu nuk e dinte se kishte një djalë. Biseda telefonike nuk kishte shkuar mirë. Carlo nuk dëgjonte mirë nga veshët.

Diplomatja australiane i kishte shkruar pastaj një letër kushëririt që t’ia shpjegonte më mirë situatën. Pastaj telefonoi përsëri, dhe foli me gruan e arbëreshit. Vetëm një ditë përpara mbërritjes së Anthony Albaneses në Itali, një i afërm i familjes, telefonoi nga Barleta për t’u shpjeguar. Ishte avokate dhe të nesërmen i priti të dy në studion e saj legale. I pyeti se pse donin ta takonin Carlo Albanesen. Anthony i tha se besonte që ai ishte babai i tij.

“Nuk dua ndonjë gjë prej tij. As para apo ndonjë gjë tjetër. Thjesht dua ta takoj,”- tha Albanese.

Në fund, avokatja i tha se do të bisedonte me të birin e Carlos dhe do të përpiqej ta bindte. Të nesërmen në mëngjes, Carlo i priti në studio ku dhe u përqafuan. Më pas i ati e pyeti për nënën dhe jetën e saj. “Ishte burrë fisnik. E kuptova pse nëna ishte dashuruar me të. Kishte sharm. Ishte i zgjuar. Bujar, interesant dhe punëtor. Familjen e kishte mbi gjithçka,”- u shpreh Carlo.